Një person ka humbur jetën si pasojë e një aksidenti që ndodhi mëngjesin e sotëm rreth orës 07:00 në rrugën Arllat-Malishevë, shkruan Gazeta Sinjali.
Në këtë aksident kanë qenë të përfshira dy automjete, të cilat kanë qenë në lëvizje. Ku si pasojë e aksidentit lëndime trupore kanë pësuar gjashtë persona, me ç’rast njëri nga ta nuk ka arritur t’i përballojë plagët e marra.
Lajmin për Sinjalin e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë së Kosovës, Flora Ahmeti, e cila tha se vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendngjarje, ndërsa personat e lënduar janë dërguar për trajtim mjekësor.
“Rreth orës 07:00 kemi pranuar informatën se në rrugën Arllat – Malishevë, ka ndodhur një aksident trafiku me pasoja fatale. Në këtë aksident kanë qenë të përfshira, dy automjete, të cilat kanë qenë në lëvizje. Si pasojë e aksidentit lëndime trupore kanë pësuar gjashtë persona, një prej tyre nuk kanë arritë të përballojnë plagët dhe i njëjti ka ndërruar jetë . Vdekjen e tij e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendngjarje, ndërkohë që personat e lënduar janë dërguar për trajtim mjekësor. Me rastin po merret hetuesia nga njësiti i trafikut rrugor”, ka deklaruar Ahmeti.
Ndërkohë në rrjete sociale janë publikuar pamje nga aksidenti i tmerrshëm.