image AKK tregon nëse ka gjetur shkelje në çmimet e testimeve për COVID-19 në laboratorët privatë

Kosovë

AKK tregon nëse ka gjetur shkelje në çmimet e testimeve për COVID-19 në laboratorët privatë

news image

Nuk ka ndonjë parregullsi në laboratorët privatë të licensuar nga Ministria e Shëndetësisë për testimet për COVID-19. Të paktën, drejtuesit e Autoritetit Kosovar të Konkurrencës (AKK) thonë se nuk kanë gjetur parregullsi.

Në konferencën për media lidhur me monitorimin e çmimeve për testimet për virusin COVID-19, anëtari i Komisionit, Muhamet Krasniqi theksoi se nga 118 laboratorë të licensuar, bazuar në informatat që kanë, nuk kanë arritur të identifikojnë ndonjë sjellje e cila ngrit dyshim për fiksim të këtyre shërbimeve apo bashkërendim të aktiviteteve mes operatorëve që mund të bien ndesh me Ligjin e konkurrencës.

“Pas vendimit të Bordit për licensim të institucioneve private shëndetësore për shërbimet e testimeve për Sars-Cov-2, Autoriteti i Kosovar i Konkurrencës është zotuar se do të jetë i pa kompromis në luftën për evitimin e devijimeve të sjelljeve korrekte në treg. Nga të dhënat e siguruara deri më tani janë gjithsej 118 laboratorë të licensuar për kryerjen e testimeve për virusin Sras-Cov-2 në Kosovë. Bazuar në informatat që i kemi mbledhur, Autoriteti i Konkurrencës nuk ka arritur të identifikojë ndonjë sjellje e cila ngre dyshim për fiksimin e çmimeve të këtyre shërbimeve apo bashkërendim të aktivitetit mes operatorëve të cilët mund të bien ndesh me ligjet e konkurrencës. Pra, kemi të bëjmë me një treg që po funksionon mirë, së paku deri tash. Po ashtu ka edhe një treg të liberalizuar”, tha Krasniqi.

Po ashtu, kryesues i Grupit Punues për monitorimin e laboratorëve privatë, Rizah Arifi tha se AKK nuk ka pranuar asnjë ankesë nga qytetarët për ndonjë parregullsi për laboratorët privatë që kryejnë testime për koronavirus.

“Lidhur me licensimin e këtyre laboratorëve nga Ministria e Shëndetësisë nuk kemi asnjë ankesë nga qytetarët e Kosovës për ndonjë parregullsi për këtë çështje”, theksoi Arifi.

Ndërkaq, për dallimet e çmimeve në barna, Muhamet Krasniqi ka thënë se përcaktimi i çmimeve në librat fiskalë, ndryshe me çmimet e komunikuara për qytetarët, është përgjegjësi e Inspektoratit të Tregut. /Gazeta Sinjali

https://www.facebook.com/GazetaSinjali/videos/352831099442128/?t=4