image AKK këmbëngul të hiqet ora policore: Prej ardhjes së Latifit s’po ftohemi në takimet e Komitetit

Kosovë

AKK këmbëngul të hiqet ora policore: Prej ardhjes së Latifit s’po ftohemi në takimet e Komitetit

news image

Prej dje në vend janë duke u aplikuar masa më të lehtësuara ndaj COVID-19. Megjithatë fakti se ora policore mbetet, pavarësisht se me një orar më të shkurtuar siç ishte para pak ditësh, po kundërshtohet. Asociacioni i Komunave të Kosovës thotë se ora policore duhet të hiqet pasi nuk po jep asnjë efekt.

Drejtori i AKK-së, Sazan Ibrahimi, deklaroi se nuk mund të ketë orë policore sikurse në kohën kur ka 4 mijë raste në ditë, sikurse rastet nuk kalojnë dhjetë të tilla në 24 orë.

“Kemi vlerësuar se masa e orës policore nuk dha ndonjë efekt, nuk ka ndonjë argument shkencor se pse duhet të jetë, sepse po shihet që masa e orës policore ka qenë edhe në tetor kur e kemi pasur numrin e të infektuarve minimal një shifror, por edhe kur i patëm 4 mijë raste në ditë dhe tash kur i kemi 1 mijë deri në 2 mijë raste. Po shihet që një masë e tillë nuk ka dhënë ndonjë efekt, nuk ka dhënë ndonjë efekt dhe nuk ka ndonjë argument shkencor ku tregohet që intensiteti i virusit është më i shtuar natën sesa gjatë ditës”, tha ai.

Prej emërimit të Rifat Latifit në krye të Ministrisë së Shëndetësisë, Ibrahimi thotë se Asociacioni i Komunave nuk është ftuar asnjëherë në takimet e Komitetit për menaxhimin e situatës me COVID, megjithatë ai shton që masat duhet të merren në proporcion me situatën epidemiologjike në terren.

“Masa për parandalimin e përhapjes së COVID-19 të jenë proporcionale me situatën në teren. Për këtë arsye kemi kërkuar që të kemi konsultime me nivelin qendror, konsultime këto të cilat nuk janë duke ndodhur që nga tetori i vitit të kaluar, me ardhjen e ministrit të ri, arsyeja nuk dihet. Rekomandimet e Asociacionit të Komunave të Kosovës të bazuara në eksperiencat rajonale dhe evropiane të merren parasysh nëse tash ose më vonë, sepse, as Republika e Kosovës, as mekanizmat e tjerë ndërinstitucionalë nuk po zbulojnë diçka të re mirëpo bazohen në praktika të cilat vijnë nga shtetet në rajon”, thotë ai për KP.

Pavarësisht anashkalimit nga ana e nivelit qendror, Ibrahimi thotë se sugjerimet e tyre po merren parasysh pasi disa prej tyre i kishin kërkuar prej muajsh.

“Po shihet se këshillat, rekomandimet, sugjerimet e Asociacionit të Komunave të Kosovës, po gjejnë vëmendjen dhe gjithashtu ato po përkrahen nga niveli qendror. Kjo po shihet me masën e fundit ku është larguar në tërësi bartja maskës në ambiente të jashtme, kjo ka qenë kërkesë e Asociacionit të Komunave të Kosovës qysh nga tetori i vitit të kaluar, mirëpo në atë kohë kemi pas raste një shifrore të infektuarve dhe kemi kërkuar që bartja e maskës në ambiente të jashtme të largohet, e tash kur kemi me mijëra raste ministria ka vendosur (ta largojë)”, ka thënë ai.

Me vendimin e ri qeveritar, orari i lëvizjes lejohet 05:00 deri në orën 24:00, maska është obligative vetëm në ambiente të mbyllura, hyrja në Kosovë lejohet me dy doza të vaksinës ose një dozë dhe testi PCR, si dhe gastronomia lejohet të punojë deri në orën 23:00./GazetaSinjali/