image AKK do të kërkojë nga MSh që të hiqet ora policore për personat e vaksinuar kundër COVID-19

Sociale

AKK do të kërkojë nga MSh që të hiqet ora policore për personat e vaksinuar kundër COVID-19

news image

Asociacioni i Komunave të Kosovës në mbledhjen e ardhshme ku pritet të mbajë takim me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitinë, pritet të adresojë një sërë kërkesash për personat të cilët janë vaksinuar kundër COVID-19, shkruan Gazeta Sinjali.

Kryetari i këtij Asociacioni, Sazan Ibrahimi, për Gazetën Sinjali ka deklaruar se në takimet që kanë pasur me kryesuesit e kolegjiumeve të shëndetësisë dhe inspektoratit që vepron në kuadër të AKK-së dhe në konsultim me disa kryetarë, kanë menduar që në takimin e ardhshëm me nivelin qendror të kërkojnë lehtësira në qasje në jetën publike dhe gastronomi për qytetarët të cilët janë të vaksinuar.

Ai ka thënë që së pari do të kërkojnë që masat e orës policore të mos zbatohen për personat e vaksinuar, pasi që këta të fundit po konsiderohen të barabartë me ata që nuk janë vaksinuar.

“Në takimet që kam pasur me kryesuesit e kolegjiumeve të shëndetësisë dhe inspektoratit që veprojnë në kuadër të AKK dhe në konsultime me disa kryetarë, të cilët e kanë përkrahur këtë ide, ne si AKK mendojmë që në takimin e radhës me nivelin qendror do kërkojmë lehtësira në qasje në jetën publike dhe në gastronomi për qytetarët që janë vaksinuar. Në ditët në vijim do e diskutojmë edhe me këshillin e kryetarëve”, tha ai.

“Nëse ka vaksina të mjaftueshme dhe fillon procesi pa pengesa, me numër të mjaftueshëm të personelit shëndetësor, mendojmë që më mirë është që të ketë lehtësira për qytetarët që janë vaksinuar”, shtoi ai.

Ibrahimi potencon që ky veprim të fillojë nga data 13 shtatori.

“Gastronomisë t’i lejohet puna edhe brenda lokaleve për personat e vaksinuar, por duke respektuar protokollet kundër COVID 19. Gjithashtu, që masat e ‘orës policore’ të mos zbatohen për qytetarët që janë vaksinuar”, theksoi ai për Sinjalin.

“Personat e vaksinuar duhen të kenë lehtësira edhe në kufirin me Shqipërinë, ata të cilët janë të vaksinuar duhet të kalojnë më lehtë, kështu që edhe pritjet në kolona do të ishin më të shkurta”, tha Ibrahimi.

Mes tjerash ai shtoi se: “Në të ardhmen gastronomia nuk mundet me funksionu veç jashtë, duhet me ia mundësuar hyrjen, të paktën persona që janë vaksinuar, qëllimi jonë është ky”.

“Kjo është mënyra më e mirë për t’i inkurajuar personat e pavaksinuar, se në qoftë se personat e vaksinuar nuk kanë ndonjë lehtësirë, personat jo të vaksinuar e konsiderojnë vetën të barabartë me ata të vaksinuar, si për orën policore, si për gastronominë, masat po vlejnë njëjtë për të dyja kategoritë”, deklaroi kryetari i këtij asociacioni.

Sipas tij, me këtë edhe inkurajohen personat që refuzojnë të vaksinohen, gjithashtu edhe fiton ekonomia e vendit./GazetaSinjali/