Ministrja e Arsimit Shkencës e Teknologjisë Arbërie Nagavci, njofton se Agjencia e Kosovës për Akreditim ka nisur zbatimin e vendimit të MAShTI për “pajtueshmërinë e punimeve dhe publikimeve shkencore me etikën në hulumtim të stafit akademik të institucioneve të arsimit të lartë (IAL)”.
Nagavci, theksoi se me këtë vendim, obligohen të gjitha IAL-të në Republikën e Kosovës që me rastin e deklarimit të stafit akademik në platformën e-akreditimi të AKA-së të bëjnë ngarkimin e disertacionit të doktoratës dhe të publikimeve në revistat e indeksuara, në platformat e përcaktuara me Manualin e AKA-së për akreditim.
Më tej theksoi se konform këtij vendimi, 2835 staf akademik në Republikën e Kosovës deri më 31 tetor 2022, i kanë ngarkuar disertacionet e doktoratave dhe listën me publikime shkencore në platformën e AKA-së E-Akreditimi.
“Këto dokumente do të ruhen me konfidencialitet të plotë nga AKA-ja dhe do të jenë subjekt i verifikimit dhe luftimit të plagjiaturës. Për të realizuar në plotni këtë projekt, MAShTI ka ndarë edhe 150 mijë euro në buxhetin e vitit 2023”, tha Nagavci.
Ministria e Arsimit, theksoi se me legjislacionin në fuqi dhe rregullativën e brendshme, AKA gjatë procesit të akreditimit zbaton standardin e “Hulumtimit” dhe standardin e “Integritetit akademik” për gjithë stafin akademik në Kosovë.
“Ngritja e cilësisë në arsimin e lartë është një nga prioritetet kryesore të Qeverisë. Për arritjen e këtij qëllimi jemi duke u angazhuar shumë që kur e kemi pranuar detyrën”, tha ministrja Nagavci.