image Ahmeti: Kjo është koha më e keqe për VV-në për ta marrë qeverisjen - Sinjali

Ahmeti: Kjo është koha më e keqe për VV-në për ta marrë qeverisjen

news image

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka komentuar zhvillimet e fundit në Lidhjen Demokratike të Kosovës, pas rezultatit të zgjedhjeve parlamentare që u zhvilluan dje në Kosovë, shkruan Gazeta Sinjali.

Ahmeti ka thënë se aktvendimi i Gjykatës Kushtetuese ka qenë “shpëtim” për Avdullah Hotin dhe LDK-në në përgjithësi, pasi që sipas tij, po të mos pësonte kjo parti politike këtë humbje, ndryshimet nuk do të fillonin.

“Vendimi i Gjykatës Kushtetuese dhe zgjedhjet në fakt ishin shpëtim për Avdullah Hotin dhe për LDK-në. E larguan nga qeverisja në momentin më të vështirë ekonomik e financiar të Kosovës pas luftës. E po ashtu edhe iniciuan ndryshimet në LDK që nuk do të fillonin pa këtë debakël”, ka shkruar ndër të tjera ai në Facebook.

Në anën tjetër, i pari i Prishtinës ka thënë se kjo është koha më e keqe për LVV për ta marrë qeverisjen, derisa ka thënë se prioritet i kësaj të fundit duhet të jetë ekonomia, e jo dialogu me Serbinë.

“Pritjet janë joreale në kohën kur financat e shtetit dhe ekonomia janë buzë greminës. Kriza potenciale e zgjedhjes së presidentit duhet të mënjanohet shumë shpejt. Dialogu në asnjë mënyrë nuk mund të jetë prioritet. Të vetmet tri prioritete duhet të jenë ekonomia, ekonomia dhe ekonomia”, ka përfunduar ai./Gazeta Sinjali/


Shpërndaje artikullin