image Aheng në Prishtinë: Nikoqiri shoqërohet në polici, gjenden armë zjarri te mysafirët

Siguri

Aheng në Prishtinë: Nikoqiri shoqërohet në polici, gjenden armë zjarri te mysafirët

news image

Policia e Kosovës ka njoftuar se mbrëmë ka shoqëruar në polici nikoqirin e një ahengu në fshatin Prapashticë të Prishtinës, raporton Gazeta Sinjali.

Sipas komunikatës së policisë, në këtë fshat ishte organizuar një aheng, për të cilin policia ishte informuar përmes rrjeteve sociale.

“Policia duke ndërmarr veprime të menjëhershme, ka realizuar një plan taktik duke vendosur disa ‘pika kontrolli për automjete’  në lokacione të ndryshme, ku janë ndaluar disa vetura dhe janë kontrolluar disa persona. Të njëjtit dyshohej se po vinin nga ahengu që ishte mbajtura në fshatin Prapashticë”, thuhet në kumtesë.

Gjatë kontrollit të automjeteve, policia njofton se ka arrestuar 4 të dyshuarit, të cilët ishin mysafirë në këtë aheng:

  • L.K. (1988, m/k), është gjetur dhe konfiskuar një revole TT me dy karikatorë të zbrazët;
  • E.K. (1980, m/k), është gjetur dhe konfiskuar një revole me një karikator dhe gjashtë fishek;
  • B.K. (1988, m/k), është gjetur dhe konfiskuar një revole GLOK 17 me dy karikatorë (njëri nga ta me kapacitet prej 30 fishekëve);
  • D.B. (1968, m/k), është gjetur dhe konfiskuar një revole me një karikator dhe nëntë fishekë.

Po ashtu, sipas policisë, dyshohet se një veturë, me qëllim të shmangies së kontrollit policor ka shfrytëzuar një rrugë alternative, por e njëjta është aksidentuar.

Policia me këtë rast ka shoqëruar në polici edhe nikoqirin e ahengut me iniciale I.S. (1988), të cilit i është shqiptuar tiketë për shkelje të ‘Ligjit COVID 19’.

Gjatë këtij plani strategjik policia ka konfiskuar katër armë të shkurta, ka kontrolluar dhe verifikuar njëzet persona që ishin në vetura, pjesëmarrës në ahengun në fjalë.

Lidhur me rastin është kontaktuar prokurori i DKR në PTH Prishtinë, i cili ka urdhëruar që rasti të procedohet në procedurë të rregullt./Gazeta Sinjali/