Të premten Gazeta Sinjali raportoi ekskluzivisht për arrestimin në flagrancë të zyrtares së komunës së Junikut, Blerina Sallaj, bashkëpunëtore e kandidatit të AAK-së për kryetar të kësaj komune, Agron Kuçit. Sallaj u kap në Aeroportin Prishtinës dhe dyshohet për “dhënie ose marrje të ryshfetit në lidhje me votimin”. Derisa e njëjta është ndaluar për 48 orë, kandidati i AAK-së, Kuçi, ende s’e kanë thënë asnjë fjalë lidhur me këtë rast.
Gazeta Sinjali ka tentuar të kontaktojë me të, por i njëjti e ka pasur të ndalur telefonin, ndërsa në rrjetin social Viber, nuk është përgjigjur.
Sinjali raportoi mbrëmë se Blerina Sallaj dyshohet se ka tentuar që të dërgojë në Mynih të Gjermanisë material të falsifikuar zgjedhor. Procesi i falsifikimit të dokumentacionit, sipas burimeve të Sinjalit dyshohet se është kryer në zyrat e komunës, gjatë paradites së 29 tetorit. Lidhur me këtë rast, të njëjtat burime kanë njoftuar se të dyshuar janë edhe disa zyrtarë të komunës dhe aktivistë të AAK-së në diasporë.
Çka gjeti Policia në valixhen e Blerina Sallajt në Aeroportin e Prishtinë?
Sallaj dje ishte nisur për në Gjermani, me ç’rast Policia e Kosovës kishte gjetur në bagazhin e saj me qindra dokumente të votuesve të diasporës në komunën e Junikut të përgatitura paraprakisht, në mënyrë të organizuar në emër të votuesve të Junikut nga diaspora. Me këtë rast Policia ka sekuestruar telefonin e saj dhe një laptop me fletëvotime të diasporës dhe listën e votuesve në Junik për kryetar të komunës së Junikut në zgjedhjet e 14 nëntorit, shkruan Gazeta Sinjali.
Dosja që dyshohet të jetë e falsifikuar përmban kopje të letërnjoftimeve, lista me emra të 200 personave, të përgatitura për votim nga diaspora.
Sallaj gjatë intervistimit, siç ka mësuar Sinjali, ka deklaruar se këtë material ka pasur të ia dërgojë vëllait të kryetarit të komunës së Junikut, Agron Kuçit.
Sipas burimeve të Sinjalit, Blerina Sallaj është një nga bashkëpunëtoret më të ngushta të Agron Kuçit, i cili është kandidat nga AAK për kryetar të Junikut. Dyshohet se e arrestuara në bashkëkryerje edhe me persona të tjerë, ka tentuar që të dërgojë në mënyrë të organizuar votat nga diaspora në mbështetje të kandidatit Agron Kuçi.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.