image AGK-ja reagon për linçimet e zyrtarëve të VV-së ndaj gazetarit Adriatik Kelmendi

Deklaratat/ AGK-ja reagon për linçimet e zyrtarëve të VV-së ndaj gazetarit Adriatik Kelmendi

news image

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka reaguar lidhur me deklaratat publike të aktivistëve të Vetëvendosjes, të bëra për drejtuesin e emisionit Rubikon të KTV-së, Adriatik Kelmendin, për intervistën e të mërkurës ku i ftuar ishte kryeministri Albin Kurti.

Sipas AGK-së, linçimet publike të bëra nga zyrtarët e Lëvizjes Vetëvendosje, Sami Kurteshi dhe Elvis Hoxha, ndaj gazetarit Adriatik Kelmendi, për AGK-në janë tejet shqetësuese dhe paraqesin cenim të integritetit personal dhe profesional ndaj gazetarëve.

Sipas tyre, në një postim të Kurteshit, pyetjet e shumë gazetarëve ndaj Kryeministrit cilësohen si policore, por jo politike. “Kjo është e frikshme, sepse dëshmon për edukimin e tyre profesional” – ka shkruar Kurteshi në kohën kur po transmetohej intervista e kryeministrit Albin Kurti në Rubikon të KTV-së.

Ndërkaq, në postimin e Hoxhes, ai disa herë i referohet gazetarit Kelmendi, si cinik dhe dinak.

“Pyetjet e djeshme të gazetarit të Rubikonit përmbanin të njëjtën cektësi cinike si dhe më parë. Me cektësinë dinake ai nuk kuptonte që kryeministri po i jepte dinjitetin e vendit duke i dhënë të drejtë tri herë gjatë bisedës. Nga ana e vet gazetari drejtonte të njëjtën pyetje pesë apo gjashtë herë.” – thuhet në postimin e tij.

Sipas AGK-së kjo nuk është hera e parë kur zyrtarë partiakë linçojnë gazetarë, autorë e drejtues mediesh, duke pretenduar që tu tregojnë edhe si duhet ushtruar profesioni i tyre.

“Ne si Asociacion i Gazetarëve te Kosovës, u bëjmë thirrje zyrtarëve të LVV-së që t’i ndërpresin këto praktika të linçimit, me tendencë të frikësimit të gazetarëve. Veprimet e tilla dëmtojnë rëndë imazhin e Kosovës kur në pyetje është liria e shprehjes dhe liria e gazetarëve për ta ushtruar profesionin e tyre”, thuhet në njoftim.

AGK po ashtu kërkon nga kryeministri i Kosovës Albin Kurti, njëherësh udhëheqës i Lëvizjes Vetëvendosje, që t’i bëj thirrje partisë së tij të distancohet nga linçimet e tilla të rrezikshme për demokracinë dhe të kontribuojnë për një mjedis më të mirë, ku të gjithë mund të shprehen lirshëm dhe ku gazetarët mund ta ushtrojnë profesionin e tyre pa u penguar nga askush.