Sot ka mbajtur punimet Grupi Punues i Kuvendit të Kosovës për pakon e ligjeve anti-korrupsion, më saktësisht të Ligjit për Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit dhe Ligjit për Deklarimin, Kontrollin, Prejardhjen e Pasurisë dhe Dhurata.
Kryetari i këtij Grupi Punues, Besnik Tahiri, ka njoftuar se sipas Ligjit të ri për Deklarimin e Pasurisë, asamblistët nëpër Kuvende Komunale nuk do të jenë të detyruar që të deklarojnë pasurinë dhe risia tjetër është se Agjencia kundër-Korrupsion do të ketë të drejtën për shqiptimin e gjobave, për ata zyrtarë që s’e deklarojnë apo e deklarojnë rrejshëm pasurinë.
Risitë më të theksuara janë:
– Deklarimi do të bëhet në forme elektronike, duke lehtësuar dukshëm deklarimin dhe kontrollin;
– Asambleistët komunalë nuk kanë detyrimin për të deklaruar pasurinë;
– Do të ketë kontroll të plotë të deklarimeve periodikisht, varësisht prej pozitës së zyrtarit publik;
– Do të rritet trasparenca, me ç‘rast deklarimet e të gjitha subjekteve deklaruese do të behen publike;
– Agjencia mvishet me kompetenca gjobëvënëse, me theks në provimin e qëllimit të zyrtarit për të mos deklaruar apo për të deklaruar rrejshëm, si element i vepres penale.