Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Philip Kosnett, ka njoftuar se agjencia amerikane e ndihmave, MCC, e ka rikonfirmuar përkrahjen për zhvillimin kompakt të Kosovës, përcjellë Gazeta Sinjali.
Në një postim të bërë në Twitter, ai ka bashkangjitur edhe linkun e faqes zyrtare të kësaj agjencie, ku njoftohet për mbledhjen e Bordit të Drejtorëve të Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit, të cilët i kanë përzgjedhur shtetet e reja që do të përfitojnë nga programet e grantëve të kësaj agjencie.
Në njoftim thuhet se Bordi i Drejtorëve e rikonfirmoi përkrahjen e tij për zhvillimin e vazhdueshëm kompakt në Kosovë.
Sipas njoftimit, MCC-ja ofron grante për vendet në zhvillim që përmbushin standarde rigoroze për qeverisje të mirë, duke përfshirë luftimin e korrupsionit dhe respektimin e të drejtave demokratike.
Kjo agjenci ka qasje që ngjan me qasjen biznesore dhe është e përkushtuar ndaj të dhënave, llogaridhënies dhe vendimeve të mbështetura në dëshmi, thuhet në fund të njoftimit.
Excellent news: the @MCCgov reaffirmed its support for continuing compact development in Kosovo.https://t.co/Cz6hkkVixU
— Ambassador Philip S. Kosnett (@USAmbKosovo) December 17, 2020