image Agjencia Kundër Korrupsion merr vendim lidhur me tenderin që e fitoi kompania e Ministrit Blerim Kuçi

Kosovë

Agjencia Kundër Korrupsion merr vendim lidhur me tenderin që e fitoi kompania e Ministrit Blerim Kuçi

news image

Agjencia Kundër Korrupsion ka marrur vendim lidhur me rastin e Ministrit të Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi, për tenderin 5 milionësh për ndërtimin e spitalit “Nëna dhe Fëmija” në Prizren.

Në dokumentet që ka siguruar Gazeta Sinjali, thuhet se ky tender nuk ka pasur konflikt interesi në ushtrimin e funksionit publik si ministër i Ekonomisë dhe Ambientit.

Tutje, në vendim thuhet se kontrata nuk është fituar brenda institucionit ku Kuçi është ministër dhe prandaj nuk paraqet konflikt interesi.

AKK  ka konstatuar se në këtë rast biznesi privat NPN “Hidroterm” sh.p.k, nuk ka fituar kontratë brenda institucionit ku zyrtari i lartë ushtron funksionin publik, e që në kuptim të nenit 13, paragrafi 3, të Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit, një kufizim të tillë vlen vetëm brenda institucionit të nivelit qendror dhe lokal, ku zyrtari i lartë ushtron detyra publike. Gjithashtu dokumentet dhe kontrata në fjalë janë nënshkruar nga personi i besuar (personi i autorizuar) i biznesit në fjalë. Prandaj në rastin konkret, Agjencia Kundër Korrupsion konstaton se nuk ka prova me të cilat vërtetohet ekzistimi i situatës së konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik për zyrtarin e lartë, subjekt i trajtimit për konfliktin e mundshëm të interesit”, thuhet në vendimin e AKK-së.

Kompania në të cilën Blerim Kuçi zotëron 100 për qind të aksioneve “Hidroterm” Sh.P.K. ka fituar tenderin publik të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës për “ndërtimin e objektit spitalor për nënën dhe fëmijën në Prizren”, vlera e së cilës kap shumën e 4 milionë e 900 mijë eurove.

Pas kësaj, Kuçi përmes një shkrimi në Facebook është sqaruar se kompania “Hidroterm” është pronë e tij që nga viti 1991.

Para politikës, unë kam një jetë profesionale dhe kam punuar me këtë kompani në shumë projekte në Kosovë, Shqipëri dhe Mal të Zi. Unë nuk mund të inkurajoj kompaninë që të tërhiqet pasi janë rreth 250 punëtorë në zinxhirin e të punësuarve edhe indirekt në punët e “Hidroterm”. Gjithashtu, nuk mund ta inkurajoj të tërhiqet pasi gjithçka ka shkuar sipas rregullave. Por, mund të ju sigurojë se posti im nuk do të ketë asnjëherë asnjë ndikim për të përfituar personalisht. Kam kaq shumë vite në politikë dhe nuk kam asnjë akuzë për korrupsion apo aferë tjetër të jashtëligjshme”, thuhej në reagimin e Kuçit.

Ai kishte thënë se nuk ka asnjë lidhje mes postit si ministër dhe këtij tenderi të fituar nga kompania e tij që në prill të këtij viti.

Tenderi për të cilin është shkruar dhe jam sulmuar nga shumëkush në rrjete sociale, por edhe në emisione televizive është për ndërtimin e Spitalit “Nëna dhe Fëmija” në Prizren. Autoritet kontraktues është Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës (SHKSUK)”, kishte shkruar ndër të tjera Kuçi./Gazeta Sinjali/