image Agjencia e Shërbimit të Navigacionit Ajror e konfirmon se kishte leje për operim me dronë në Mitrovicë ku u rrëzua një i tillë

Siguri

Agjencia e Shërbimit të Navigacionit Ajror e konfirmon se kishte leje për operim me dronë në Mitrovicë ku u rrëzua një i tillë

news image

Sot një dron rreth dy metra ra në oborrin e një shtëpie në lagjen Bair të komunës së Mitrovicës, prej të cilit nuk pësoi lëndime askush.

Ende nuk është bërë e ditur origjina e këtij droni, ndërsa nga Agjencia e Shërbimit të Navigacionit Ajror kanë thënë se ka pasur njoftim për operim me dronë në këtë pjesë të Mitrovicës, por nuk dihet nëse është ky dron njëri nga ta, shkruan Sinjali.

Këtë për Sinjalin e konfirmoi Driton Ujkani nga Agjencia e Shërbimit të Navigacionit Ajror.

Ujkani tha se nuk kanë informacione zyrtare në lidhje me rrëzimin e këtij droni, por janë njoftuar për operim me dronë në atë zonë.

“Ju njoftoj se ne nuk kemi informata zyrtare nëse ka pas ndojnë incident me dronë në Mitrovicë, mirëpo mund të konfirmoj se ka pas njoftim për operim me dronë në atë zonë dhe operimi është zhvilluar në bazë të procedurave të përcaktuara dhe normave ligjore në fuqi”, tha Ujkani për Sinjalin.

Për këtë incident, është deklaruar edhe kryetari i komunës së Mitrovicës, Bedri Hamza.

Ai i tha Sinjalit se nuk ka pasur të lënduar dhe se organet përgjegjëse po merren me zbulimin e origjinës.

“Informata më të sakta ua jepin Policia se po merren me atë punë, por sa jam i informuar nuk ka shkaktuar dëme në njerëz. Për pjesë tjetër janë organet përgjegjëse”, tha ai për Sinjalin.

/GazetaSinjali/