Kryetari i degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës në Podujevë, Agim Veliu, ka thënë se procesi për zgjedhjen e kryetarit të LDK-së po shkon mirë, por nuk ka treguar se kush është kandidati i tij i preferuar, shkruan Gazeta Sinjali.
“Unë besoj që procesi deri tash po ec mirë. Janë tre kandidatë që kanë marrë të drejtën e kandidimit nga Kuvendi i LDK-së për t’u votuar për kryetar të LDK-së. Çdo gjë deri tash është në rregull”, tha Veliu.
“Ne në degën e LDK-së nuk kemi biseduar për emra favoritë. Ne kemi biseduar për procesin dhe jemi angazhuar që procesi të ketë rrjedhë normale dhe dega e LDK-së ta mbajë kursin e LDK-së”, tha ai për KlanKosovën.
“Secili e ka një kandidat që e preferon. Çdo delegat në Kuvendin e LDK-së e ka një kandidat që e preferon. Edhe unë sigurisht e kam një që e preferoj”.
Veliu nuk ka harruar pa thumbuar Vjosa Osmanin duke thënë se nuk është korrekte të jesh në një parti politike dhe të flirtosh me një tjetër.
“Ne si kryesi nuk besoj që kemi bërë gabime. Edhe një herë po të ktheheshim prapa sigurisht se do të merrnim ato vendime që kemi marrë. Ne kemi menduar që ato vendime janë në favor të LDK-së”.
“Jemi angazhuar që ta mbrojmë shtëpinë tonë, LDK-në dhe një numër prej nesh jemi angazhuar që të forcohet LDK-ja dhe të mos flirtojmë me subjekte të tjera politike. Nuk është korrekte të jesh në një subjekt politik dhe të flirtosh fshehtas me subjekte të tjera politike”, ka përfunduar ai./Gazeta Sinjali/