Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmir Hasani i cili ishte në garë me Agim Bahtirin për t’u bërë kandidat i kësaj partie për kryetar të Mitrovicës, ka vendosur të kandidoj si kandidat i pavarur.
Hasani ka vendosur ta bëjë një gjë të tillë sepse sipas tij Agim Bahtiri ka shantazhuar e kërcënuar me vende të punës, por ai thotë se Bahtiri nuk do ta ketë mbështetjen e qytetarëve të Mitrovicës.
Postimi i plotë:
Të nderuar qytetarë të Mitrovicës,
Sot i kaploi mërzia përkrahësit e Vetëvendosjes në Mitrovicë, për shkak se u zyrtarizua Agim Bahtiri si kandidat i Vetëvendosjes për kryetar.
Por, unë ju siguroj që s’ka nevojë për mërzi e brengosje, sepse jemi gati ta sfidojmë dhe së shpejti do t’i largojmë keqpërdoruesit të cilët mjet pune kanë korrupsionin dhe nepotizmin.
Unë isha në garë me Agim Bahtirin për t’u bërë kandidat i Vetvendosjes, por për shkak të keqpërdorimeve nga ana e të lartpërmendurit brenda qendrës së VV-së, duke shantazhuar e kërcënuar me vende të punës si dhe duke falsifikuar nënshkrimet, unë nuk arrita të bëhem kandidat. Por, ani pse mori votat e delegatëve, Bahtiri nuk e ka përkrahjen e qytetarëve.
Kështu, duke qenë se si anëtar i Vetëvendosjes nga vitit 2011 po ndihem keq nga kjo zgjedhje, kam vendosur të kandidoj si kandidat i pavarur për kryetar të komunes së Mitrovicës në zgjedhjet e 17 tetorit, për ta shpëtuar qytetin tim nga keqpërdoruesit e sojit të Agim Bahtirit dhe Bedri Hamzës.
Ju premtoj që do t’i luftojë këto dukuri të këqija dhe do ta bie ndryshimin në qytetin tonë, Mitrovicën qeverisjen lokale, siç ndodhi më 14.02.2021 në qeverisjen qendrore. Natyrisht, unë edhe tash e edhe më pas do të bashkëpunoj ngusht me kryeministrin tone, z. Albin Kurti, për të mirën e qytetarëve në Komunën e Mitrovicës.
E mira vonon, por në fund fiton. Na priftë e mbara!