Prokuroria Themelore e Mitrovicës njofton se sot është intervistuar Kryetari i komunës së Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri, për shkak të dyshimit për kryerjen e veprës penale “Nxitja e përçarjes dhe mos durimit”, nga neni 141 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, raporton Gazeta Sinjali.
“Prokuroria Themelore e Mitrovicës ka filluar hetimet ndaj Agim Bahtirit pasi që dyshohet se i njëjti në një lidhje të drejtpërdrejtë në njërin nga televizionet kosovare ka deklaruar se “Presidenti t`i shpallë zgjedhjet, ndryshe mund të ketë vëllavrasje“, me çfarë dyshohet se ka kryer veprën penale “Nxitja e përçarjes dhe mos durimit”, nga neni 141 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e tyre.
Me urdhër të Prokurorit të Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Bahtiri është lëshuar në procedurë të rregullt.
Ndryshe, deklarata e tij ka nxitur shumë reagime në publik. /Gazeta Sinjali/