image Agim Aliu ndalon përdorimin e veturave të komunës, pas orarit zyrtar

Politikë

Agim Aliu ndalon përdorimin e veturave të komunës, pas orarit zyrtar

news image

Kryetari i rizgjedhur i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, ka marrë vendim që të ndalojë përdorimin e veturave zyrtare të Komunës së Ferizajt, pas orarit të punës, shkruan Gazeta Sinjali.

Sipas këtij vendimi, zyrtarët komunalë do të kenë të ndaluar shfrytëzimin e veturave zyrtare gjatë fundjavave.

“Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, ndër vendimet e para që mori sot, ishte vendimi për ndalimin e përdorimit të veturave zyrtare të Komunës së Ferizajt, pas orarit zyrtar, përkatësisht dhe fundjavave”, thuhet në një njoftim të lëshuar nga Zyra e Mediave në këtë komunë.

Ky vendim, sipas kësaj komune, ndërmerret me qëllim të “mbajtjes së disiplinës në përdorimin e aseteve komunale, ekonomizimin e shpenzimeve dhe për rrjedhojë edhe kursimin e parasë publike”.

Ndërkaq, Aliu ka thënë se secili zyrtar do të ketë disiplinë në punë dhe shërbime të vazhdueshme për qytetarët.

“Në respektim e trajtim të dinjitetshëm të çdo kërkese qytetare, në përputhje me ligjin në çdo veprim, me nder e përkushtim njerëzor e profesional, qytetarinë bazë të punës sonë e asnjëherë përkatësinë politike, me shumë më shumë punë, projekte transformuese, disiplinë e rregull. Me këto parime e synime qeverisëse, mbajtëm sot, mbledhjen e parë të ekzekutivit të Komunës së Ferizajt, për të vijuar pa ndaluar asnjë çast, në hapin tonë, për më të mirën për Ferizajn e ferizajasit”, ka thënë Aliu./GazetaSinjali/