Me vendim të Qeverisë së Kosovës, sonte në ora 24:00 do të pezullohen të gjitha fluturimet në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, ku përjashtim bëjnë linjat e udhëtimit në ardhje me ekuipazh, por pa udhëtarë që shërbejnë vetëm për largim të udhëtarëve nga Kosova.
Zëdhënësja e aeroportit, Valentina Gara tha se me përjashtim të Gjermanisë, Italisë, Francës dhe Zvicrës, sonte deri në mesnatë do të realizohen të gjitha fluturimet, ndërsa pas kësaj kohe me vendimin e qeverisë, fluturimet nga shtetet tjera mund të arrijnë, por pa udhëtarë.
Të shqetësuar me këtë situatë janë udhëtarët, sipas të cilëve çmimet e biletave kanë arritur deri në rreth 1 mijë euro.
Tahir Çallakaj nga Komuna e Deçanit, i cili udhëton për në Zvicër, u shpreh i shqetësuar me ngritjen e çmimeve që po bëjnë agjensionet, ku sipas tij, çmimi i biletave ka arritur rreth 500 euro.
“Kam ardhur ditën e mërkure. Udhëtoj për në Bazel. Është dashur të shkoj dje, por nuk ka pasur (fluturim) faktikisht… Kam parë njerëz që kanë ardhur në agjenci për të pyetur lidhur me situatën dhe ka pasur njerëz që janë detyruar të nxjerrin biletën e re deri në 400-500 euro. E kanë paguar. Pyetni këto agjenci si po veprojnë. Askush deri më tash nuk më ka kontrolluar, as nuk më ka pyetur kurrgjë”, tha Çallakaj.
Sabrie Doda-Hajdari, tha se edhe pse biletat i kanë pasur kthyese, ato bileta janë shitur mbas dore nga 1 mijë euro, duke bërë kështu që udhëtarët të mbesin në aeroport.
“Të shtunën kemi pasur udhëtimin për në Cyrih. Biletat i kemi pasur kthyese. Edhe pse ka pasur edhe tjerë udhëtarë me bileta kthyese, biletat janë shitur mbas dore nga 1 mijë dhe udhëtarët kanë mbetur në rrugë. Ne kemi mbetur në aeroport. Ka ardhur gruaja me një fëmijë të vogël, ka blerë biletën 800 euro. Pasi e ka paguar biletën, i kanë thënë se avioni nuk fluturon, por as paratë nuk ia kanë kthyer”, tha Hajdari.
Kosova është prekur nga koronavirusi, me 13 raste deri më tash. Qeveria e Kosovës ka ndërmarrë masa parandaluese për përhapjen e kësaj sëmundjeje, e cila ka prekur pothuajse të gjithë botën. Në mesin e tyre janë edhe pezullimi i fluturimeve ajrore.