Pasagjerët e një fluturimi nga Nisa në Oslo të Norvegjisë do të duhet të karantinohen për dhjetë ditë, për shkak se avioni i tyre zbriti në të njëjtën minutë që Norvegjia e kaloi Francën në zonën e kuqe.
Sipas rezultateve nga aeroporti i Oslos dhe kompania ajrore “SAS”, fluturimi SK4700 përfundoi fiks në mesnatë.
Sipas faqes së specializuar, FlightRadar24, “SAS Boeing 737” preku aeroportin e Oslos në mesnatë e një minutë.
“Kalimi në zonën e kuqe hynte në fuqi nga mesnata, kështu që në mesnatë fiks ose në mesnatë e një minutë, pasagjerët duhet të karantinohen”, shpjegoi Elisabeth Johansen, këshilltare e Ministrisë norvegjeze të Shëndetësisë.
Sipas saj, pasagjerët do të mund ta kalojnë karantinën në shtëpi dhe nuk do t’u duhet të qëndrojnë në hotele e aeroport. /Gazeta Sinjali