Në gjykimin që po zhvillohet ndaj Enver Sekiraqës, i akuzuar për nxitje të vrasjes së Triumf Rizës, në seancën e së hënës ka munguar dëshmitarja Adelina Ismaili së bashku me motrat e saj, Zanfina dhe Ema Ismaili.
Kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Agim Kuçi ka njoftuar se dëshmitaret Adelina, Zanfina dhe Ema Ismaili mungesën e tyre e kanë arsyetuar me një parashtresë, përmes mbrojtësit të tyre, avokatit Alban Makolli.
“Mungesën e dëshmitareve e ka arsyetuar avokati i tyre Alban Makolli me parashtresën e datës 13.10.2021, me arsyetimin se të njëjtat nuk kanë për çfarë të deklarohen dhe mbesin në tërësi pranë deklaratave të dhëna më parë”, ka thënë gjykatësi Kuçi.
Sipas tij, avokati Makolli në këtë parashtresë kishte deklaruar se nëse gjykata vlerëson se tri dëshmitaret duhet të prezantojnë në seancë përkundër vullnetit të tyre, atëherë të njëjtat do të respektojnë vullnetin e gjykatës.
Lidhur me mungesën e dëshmitareve, prokurori special Haki Gecaj ka thënë se ato nuk i janë përgjigjur ftesës së gjykatës, prandaj sipas tij ato duhet të thirren prapë për shkak se çështja është në rigjykim dhe është një trup i ri gjykues.
Por, propozimin e prokurorit Gecaj e ka kundërshtuar mbrojtësja e të akuzuarit Sekiraqa, avokatja Kosovare Kelmendi, e cila ka thënë se sipas parashtresës së avokatit Alban Makolli dëshmitaret nuk i kanë pranuar ftesat e gjykatës.
Ajo ka propozuar që deklaratat e tyre të lexohen, pasi sipas avokates Kelmendi secila prej tyre i ka nga pesë deklarata për periudhën 10 vjeçare dhe sipas saj, të njëjtat nuk kanë çfarë të shtojnë.
“Arsye tjetër është se dëshmitaret në fjalë kanë qenë më tepër të ftuara rreth një pike të aktakuzës e cila nuk është me pikë shqyrtimit. Adelina Ismaili ka pasur edhe cilësinë e të dëmtuarës në atë kohë. Arsyetimi i propozimit të prokurorit se jemi para një trupi të ri gjykues dhe se çështja është në rigjykim, unë përsëri ua rikujtoj se ky është gjykimi i tretë dhe në gjykimin e kaluar. Propozoj që këto deklarata të lexohen”, ka thënë avokatja Kelmendi.
Trupi gjykues i udhëhequr nga gjykatësi Agim Kuçi ka aprovuar propozimin e prokurorit special, që për seancën e radhës të ftohen përsëri dëshmitaret Adelina, Zanfina dhe Emai Ismaili.
Seancat e radhës pritet të mbahen më 19 dhe 25 janar 2022, në ora 09:30.
Pas përfundimit të seancës, avokatja Kelmendi ka kërkuar disa sqarime nga gjykata në lidhje me mënyrën e sjelljes së të akuzuarit Sekiraqa nga arresti shtëpiak.
“Me u sjellë i akuzuari nga arresti shtëpiak e me iu lidh duart, është hera e parë që shoh të akuzuar me sjellë prej arrestit shtëpiak e me ia lidhë duart”, ka thënë avokatja Kelmendi, raporton Betimi për Drejtësi.
Por lidhur me këtë, gjykatësi Kuçi e ka njoftuar avokaten se nuk ka ndonjë vendim nga ana e gjykatës për mënyrën e sjelljes së të akuzuarit në gjykatë.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata./GazetaSinjali/