image Abrashi: Ndërtimi i autostradës së Dukagjinit është i përfshirë në projektbuxhetin e vitit 2021

Kosovë

Abrashi: Ndërtimi i autostradës së Dukagjinit është i përfshirë në projektbuxhetin e vitit 2021

news image

Në mbledhjen e sotme të Qeverisë, Ministri i Infrastrukturës, Arban Abrashi ka bërë të ditur se ndërtimi i autostradës së Dukagjinit është i përfshirë në projektbuxhetin e vitit 2021.

“Një projekt të cilin e kemi kontraktuar më herët por duhet fonde shtesë për të finalizuar është ndërtimi i autostradës së Dukagjinit, Istog-Pejë- Deçan-Gjakovë”, ka thënë Abrashi, të premten.

Ndërkaq, ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, pohoi se buxheti i përgatitur është gjithëpërfshirës.

“Kemi përgatit një buxhet gjithëpërfshirës, jemi duke u përballur me një sfidë të jashtëzakonshme për shkak të pandemisë. Situata me pandeminë ka imponuar që të marrim masa agresive, ashtu që këtë sfidë ta kalojmë me sukses. Ky dokument reflekton synimet kyçe të Qeverisë, që janë beteja për ta mposhtur pandeminë dhe rimëkëmbja ekonomike. Për secilën kategori do të ketë mjete të mjaftueshme. 6.7 për qind pritet të tkurret ekonomia këtë vit si pasojë e pandemisë.

Gjatë vitit 2021 pritet të rritet me 5.2 për qind. Parashikimet janë të rrethuara me pasiguri të larta. Kontributi kryesor në rritjen ekonomike pritet të vijë nga eksporti”, tha ajo.

Buxheti për vitin e ardhshëm do të jetë 2.4 miliardë euro, 200 milionë euro më pak se buxheti i vitit 2020./ Gazeta Sinjalli/