Lidhja Demokratike e Kosovës është përfaqësuar nga Arban Abrashi në takimin e sotëm me presidenten në detyrë, Vjosa Osmani, me të cilën kanë diskutuar për datën e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, shkruan Gazeta Sinjali.
Abrashi ka thënë se LDK është e gatshme për zgjedhje dhe kanë kërkuar që zgjedhjet të mbahen në janar.
“Sot në emër të LDK së erdhëm për diskutimet preliminare në lidhur me aktgjykimin. Paraqitëm qëndrimet dhe kërkesat tona. Kemi deklaruar se jemi të gatshëm për zgjedhje duke i pa rrethanat dhe zhvillimet politike. Kemi thënë se zgjedhjet të mbahen në janar që të përfundojë brenda afatit kushtetues të ushtrimit të detyrës së presidentit”, ka deklaruar Abrashi.
“Diskutuam se duhet të gjejmë fuqi politike që të miratohet buxheti i vitit 2021. Është i lidhur edhe me Ligjin për Rimëkëmbje.”
Ai tha se në këtë takim është përmendur data 7 shkurt për mbajtjen e zgjedhjeve, derisa ka shtuar se LDK nuk e ka caktuar akoma kandidatin e saj për kryeministër.
“E kemi përmend janarin edhe më herët, që të mos i kalojmë kufijtë kushtetues. Data 7 shkurt është përmendur, por në takimet tjera do të caktohet. Ende nuk e kemi caktuar kandidatin, do të mblidhet kryesia e nëse është e nevojshme edhe Këshilli që ta caktojmë kandidatin”, tha Abrashi para gazetarëve./Gazeta Sinjali/