image Abelard Tahiri sfidon Bashkimin Evropian: Emërimi i noterëve duhet të ndodhë

Kosovë

Kundërshtimi/ Abelard Tahiri sfidon Bashkimin Evropian: Emërimi i noterëve duhet të ndodhë

news image

Ministri në largim i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka vendosur ta sfidojë Bashkimin Evropian, duke mos e përfillur kërkesën e tyre për mosemërimin e noterëve të rinj.

Tahiri ka insistuar se emërimi i noterëve të rinj është urgjent dhe duhet të ndodhë, shkruan Gazeta Sinjali.

“Prandaj, sot, përballë ftesës së Zyrës së BE-së për pezullimin e emërimit të noterëve të rinj, si Ministër i Drejtësisë vlerësoj se emërimi i noterëve të rinj, mbi formulën që është paraparë si e domosdoshme dhe emergjente për të përmbushur nevojat e qytetarëve, veçmas komuniteteve jo shumicë, është tërësisht legjitim dhe duhet të ndodhë”, theksohet në deklaratën e tij.

Sipas Tahirit, procesi i rekrutimit të noterëve të rinj është pjesë e reformës, të cilën ai e quan të domosdoshme.

“Në kuadër të zbatimit të ligjit të ri dhe formulës së re 1 Noter në 10 Mijë banorë, në Prill të këtij viti, shumë kohë para se të dorë hiqej qeveria e Kryeministrit Haradinaj, kemi analizuar nevojat e qytetarëve dhe kemi shpallur konkursin publik për rekrutimin e noterëve të rinj. Rënia e qeverisë e ka gjetur procesin pothuajse të përfunduar. Pra, nuk ka qenë një reformë që e kam nisur aty për aty, por një reformë e domosdoshme që është nisur dhe është zhvilluar përgjatë dy viteve të fundit. Në fazën e rekrutimit, secili hap në këtë proces është bërë në përputhje të plotë me Ligjin dhe aktet përcjellëse”, thuhet mes tjerash në deklaratën e lëshuar nga Tahiri.

Përmes një deklarate, zyra e BE-së në Kosovë ka konsideruar sot se vendimi për emërimin e noterëve duhet t’i lihet qeverisë së re.

Procesi i përzgjedhjes së noterëve nga Ministria e Drejtësisë ka nxitur reagime brenda dhe jashtë Kosovës. Së fundi, Unioni Ndërkombëtar i Noterëve dhe të Oda Federale Gjermane e Noterisë i kanë drejtuar një letër të përbashkët ministrit në largim, Abelard Tahiri, nga i cili kanë kërkuar që të mos emërojë noterë aq sa kishte planifikuar Ministria e Drejtësisë. /Gazeta Sinjali/