Ministri i Drejtësisë në detyrë, Abelard Tahiri, ka thënë se Ministria e Drejtësisë nuk është palë në rastin e Astrit Deharit.
Tahiri në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini, ka thënë se ka kërkuar ndarjen e shumës prej 50 mijë euro për të shkuar rasti Dehari aty ku ka dashur familja e tij.
Ai ka thënë se ambasadori zviceran me kërkesën e tij ka dhënë ndihmë të madhe për t’u ndërlidhur me institutin në fjalë nga Zvicra për të bërë hetime për vdekjen e Astrit Deharit.
“Ministria e Drejtësisë asnjëherë nuk ka pasur kontakt me institutin në fjalë sepse nuk kemi qenë palë. Ne s’mund të marrim asnjë dokument derisa nuk kemi qenë palë”, tha Tahiri.
Ministri i Drejtësisë në detyrë thotë se është interesuar mos ka ardhur ndonjë dokument në Prokurori por deri më tani asgjë nuk ka ardhur.
“Unë pres që personat që kanë kryer hetimin të vijnë në Kosovë dhe të dalin në një konferencë për shtyp… Besoj që këto ditë duhet të vijnë zviceranët dhe të tregojnë për rezultatet”, tha Tahiri.