Deputeti nga radhët e PDK-së, Abelard Tahiri, përmes një shkrimi në rrjetin social në Facebook, ka reaguar duke e quajtur Albin Kurtin si politikan të paaftë pas vizitës së tij në Tiranë pa e shpalosur ende programin qeverisës para qytetarëve të Kosovës.
‘’Është e çuditshme dhe e paprecedent se si Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti, edhe pas një jave të formimit të saj, ende nuk e ka mbajtur mbledhjen e parë dhe ende nuk e ka shpalosur para qytetarëve programin qeverisës. Në vend të kësaj, Kryeministri ka zgjedhur ta bëjë një vizitë jashtë vendit.Ky fakt është tregues i qartë se kemi të bëjmë me një politikan të paaftë për ta kuptuar dhe administruar me ekzekutivin’’, ka shkruar Tahiri në Facebook.
Sipas tij, kryeministri duhej të mbante takim me kabinetin e tij për të ofruar programin dhe jo të tregohet i papërgjegjshëm dhe mashtrues.
‘’Por, kjo vizitë e tij, përderisa ende nuk ka ushtruar as funksionin themelor të Kryeministrit, është një paralajmërim tipik i stilit të tij politik të papërgjegjësisë dhe mashtrimit, të cilin ai përpiqet të na e shesë si punë të rëndomtë të një Kryeministri’’, ka shtuar më tej Tahiri.
Gjatë ditës së sotme kryeministri Albin Kurti, ishte për vizitë në Tiranë ku takoi homologun e tij Edi Rama dhe liderët e tjerë shqiptarë./ Gazeta Sinjali/