Ministri në largim i Drejtësisë, Abelard Tahiri, sot ka marrë një “bllok” nga Bashkimi Evropian lidhur me planin e tij për t’i emëruar noterët e rinj.
Zyra e BE-së në Kosovë, përmes një deklarate ka konsideruar se vendimi për këtë duhet t’i lihet qeverisë së re.
Gazeta Sinjali ka kontaktuar me ministrin në largim, Abelard Tahiri, për ta pyetur për kërkesën e qartë që e ka marrë nga Bashkimi Evropian. Tahiri ka thënë se është njoftuar për këtë, por nuk ka pranuar të japë ndonjë përgjigje.
“Para pak minutash jam njoftu për një deklaratë të tillë. Do ta shikoj dhe do të përgjigjem sot gjatë ditës”, ka thënë Tahiri.
Procesi i përzgjedhjes së noterëve nga Ministria e Drejtësisë ka nxitur reagime brenda dhe jashtë Kosovës. Së fundi, Unioni Ndërkombëtar i Noterëve dhe të Oda Federale Gjermane e Noterisë i kanë drejtuar një letër të përbashkët ministrit në largim, Abelard Tahiri, nga i cili kanë kërkuar që të mos emërojë noterë aq sa kishte planifikuar Ministria e Drejtësisë. /Gazeta Sinjali/