image Abelard Tahiri çoi 12 mijë euro në dreka e darka

Kosovë

Shpenzim/ Abelard Tahiri çoi 12 mijë euro në dreka e darka

news image

Vetëm stafi politik i Ministrisë së Drejtësisë ka harxhuar 24.573 litra karburante brenda dy vjetësh, me të cilat mund të bëhen rreth 300 mijë kilometra rrugë. Përtej këtyre harxhimeve e përtej pagave të rregullta, ka shpenzuar edhe gati 100 mijë euro të buxhetit të shtetit.

Në gjysmëmandatin qeverisës, në Ministrinë e drejtuar nga Abelard Tahiri kanë defiluar edhe 25 të emëruar politikë. Në të, zëvendësministra kanë qenë Vesna Mikiq, Nenad Taliq, Naim Qela dhe Fadil Nura. Rekrutët e tjerë kanë mbajtur pozita këshilltarësh, asistentësh e shoferësh, shkruan sot Koha Ditore.

Mbështetur në pasqyrën e shpenzimeve që Ministria ia ka prezantuar gazetës pas një kërkese për qasje në dokumente publike, në këtë institucion kanë treguar se nga shtatori i 2017-s kur ka nisur mandati e deri në gusht të 2019-s, kur është shpërndarë Kuvendi pas dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinaj, kabineti i ministrit Tahiri ka harxhuar 24.573 litra derivate të automjeteve. Përderisa në katër muajt e parë të mandatit ishin harxhuar diku 2 mijë litra, në periudhën vijuese trendi ka shënuar rritje.

Përgjatë 2018-s janë shpenzuar 11.166 litra, kurse në vetëm 8 muaj të 2018-s, edhe 11.489 litra. Ministria nuk ka ofruar të dhëna të ndara për shpenzimet në këtë kategori, për secilin nga anëtarët e kabinetit.

Po kështu, Ministria nuk ka ofruar as informatat për shpenzimet buxhetore për pagat e ministrit dhe të 25 anëtarëve të tjerë të kabinetit. Megjithëkëtë, në një përllogaritje të përafërt, totali i shpenzimeve në këtë kategori është mbi 300 mijë euro.