Kryetari i LDK’së, Lumir Abdixhiku, ka vizituar Deçanin pas helmimit të më shumë se 1500 qytetarëve të kësaj komune.
Abdixhiku, me anë të një postimi në rrjetet social, ka thënë se bashkë me kryetarin e Komunës së Pejës i kanë ofruar ndihmën e nevojshme kësaj komune.
“Komunës fqinje, i ofruam ndihmën e nevojshme – të çfarëdoshme – Komunës së Deçanit, Qeverisë qendrore e gjithë qytetarëve të kësaj ane. Gjithashtu, të gjitha ekipet tona të ekspertëve e profesionistëve, vullnetarëve e strukturave janë në dispozicion të plotë. Sot, të gjithë ndjehemi qytetarë të Deçanit”, ka shkruar ai.
Tutje, ai ka thënë se nuk është koha t’i hidhet askujt faji dhe se të gjithë duhet të jenë bashkë.
“Gjendja është e rëndë; me fëmijë, gra e burra të shtrirë. Por kjo s’është kohë për të bërë politikë e as për gjueti fajtorësh. Përkundrazi, është koha për ndihmë”, ka thënë tutje ai.
Mbi 1 mijë e 500 persona, në mesin e tyre edhe 51 fëmijë janë helmuar në Deçan. Dyshimet e para janë se banorët e kësaj komune janë helmuar nga uji i pijshëm.
Ndërsa, komuna e Deçanit sot ka shpallur gjendjen emergjente për shkak të helmimeve, derisa prokuroria ka filluar hetimet për mënyrën se si ka ardhur helmimi i mbi 1 mijë e 500 personave.
Postimi i plotë i Abdixhikut (pa ndërhyrje):
Sot, me bashkëpunëtorë, vizitova Deçanin pas gjendjes emergjente të shpallur si rrjedhojë e helmimit të mbi 1500 qytetarëve tanë. Të gjithë jemi të brengosur dhe bashkëndjejmë për shëndetin e tyre.
Gjendja është e rëndë; me fëmijë, gra e burra të shtrirë. Por kjo s’është kohë për të bërë politikë e as për gjueti fajtorësh. Përkundrazi, është koha për ndihmë. Prandaj, së bashku me Gazmend Muhaxherin, Kryetarin e Pejës, Komunës fqinje, i ofruam ndihmën e nevojshme – të çfarëdoshme – Komunës së Deçanit e Kryetarit Ramosaj, Qeverisë qendrore e gjithë qytetarëve të kësaj ane. Gjothashtu, të gjitha ekipet tona të ekspertëve e profesionistëve, vullnetarëve e strukturave janë në dispozicion të plotë. Sot, të gjithë ndjehemi qytetarë të Deçanit.
Në emër të LDK-së, falënderoj stafin shëndetësor në Deçan dhe gjithë ekipet tjera ndihmëse që po kujdesen ditë e natë për qytetarët tanë. U bëj thirrje të gjithëve, pa dallim, të jemi afër njëri-tjetrit në orë si këto e t’i shtojmë përpjekjet tona kudo që ka nevojë.
Në fund, më lejoni që t’i siguroj të gjithë ata që në këto momente po e vuajnë këtë gjendje me shëndetin e tyre, se ata dhe familjet e tyre nuk janë vetëm. /GazetaSinjali/