image Abdixhiku: Planin franko-gjerman Kurti ma dha si kopje e ia ktheva mbrapsht, s’është ai në media

Politikë

Abdixhiku: Planin franko-gjerman Kurti ma dha si kopje e ia ktheva mbrapsht, s’është ai në media

news image

Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se në takimin e fundit që ka pasur me kryeministrin e vendit, Albin Kurti, i është prezantuar plani franko-gjerman.

Ai tha se edhe gjatë kohës së mohimit për ekzistimin e këtij plani nga ana e kryeministrit, ai ka pasur informacione për të.

Abdixhiku tha se plani franko-gjerman i është prezantuar si kopje e veçantë e tij dhe se ishte kopja e vetme që Kurti e kishte.

“Ka qenë një dokument kopje e veçantë e tij, me shënime të tij, e kam lexuar në tërësi dhe e kam kthyer prapa te kryeministri. Ishte kopja e vetme që e kishte dhe është një dokument dyfaqësh si marrëveshje bazë edhe e kam kthyer mbrapa”, është shprehur Abdixhiku në Rubikon në Klan Kosova.

Tutje, ai tha se plani franko-gjerman s’ka qenë ai që u publikua në media dhe se sipas tij, s’kanë qenë as pjesa më e madhe e deklarimeve të bëra në media, teksa refuzoi të jap komente në lidhje me planin.

“Nuk do të jap shumë komente për këtë plan sepse është në fazën e përpunimit dhe komentimit e s’do t’i bëja nderë as Kosovës e as përpjekjeve të institucioneve të vendit për të arritur një marrëveshje përballë një kundërshtari politik që e kemi të përbashkët e që është Serbia”, është shprehur Abdixhiku, njofton Klankosova.tv.

Më tej, i pari i LDK-së tha se është përgjegjësi e Qeverisë Kurti që përgjatë dy viteve të fundit është ridizajnuar formati i dialogut, ku ka kaluar nga dialogu që sipas tij e kishte njohjen e ndërsjellë si pikë të veçantë në diskutimin se a është njohja de-facto apo de-juro.

“Plani franko-gjerman nuk është marrëveshje finale, është marrëveshje fillestare dhe pastaj do të ketë bisedime drejtë marrëveshjes finale pas një kohe tjetër”.

“Është një bazë drejtë marrëveshjes finale dhe besoj se ky është dëmi më i madh që është bërë në këtë periudhë sepse deri më tani ne e kemi pasur parimin e “asgjë s’është pranuar derisa gjithçka pranohet dhe gjithçka pranohet kur pranohet njohja” dhe ky besoj se ka qenë suksesi më i madh që Kosova e ka bërë ndonjëherë”, është shprehur Abdixhiku, njofton Klankosova.tv.

/GazetaSinjali/