image Abdixhiku për Kurtin: Nuk e kupton ekonominë, po angazhohet për propagandë

Politikë

Abdixhiku për Kurtin: Nuk e kupton ekonominë, po angazhohet për propagandë

news image

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku thotë që kryeministri i vendit, Albin Kurti nuk e kupton ekonominë.

Abdixhiku thotë se ekonomia e vendit është në kolaps derisa përmend ngritjen e çmimeve dhe krizën me energjinë elektrike.

“Që nga dita e parë e tij e punës e deri më sot, çmimet janë rritur për 20%. Ky numër është rekord. I paparë ndonjëherë. Për krahasim, në Shqipëri inflacioni është vetëm 8%. Produktet bazike si buka, mielli, qumështi, vaji, vezët, rryma e derivatet janë sot dy-tre fish më shtrenjtë se sa që ishin dy vite më parë. Por ai këtë rritje të çmimeve nuk e sheh. Inflacionin, madje, e interpreton si sukses; thotë se është rritur qarkullimi i bizneseve për 20% e janë rritur të hyrat e buxhetit për 20%. Nuk është rritur as qarkullimi e as të hyrat – në terma real – janë rritur vetëm çmimet. Dhe atë për 20%”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook.

Tutje ai shtoi se Kurti nuk i njeh e as nuk i kupton hallet e qytetarëve të vet.

“Jemi në krizë”, përfundon Abdixhiku.

Postimi i plotë i tij:

Albin Kurti nuk e kupton ekonominë. Por e kupton propagandën. Fatkeqësisht, propaganda nuk e bën ekonominë, por ai angazhohet vetëm për këtë të parën.

Në dy vitet e tij të qeverisjes, janë thyer disa nga rekordet më negative ekonomike në vend. Tre treguesit kryesorë makroekonomik, ai i inflacionit, i deficitit tregtar e i rritjes ekonomike, japin sot pasqyrën e vërtetë në vend.

– “Që nga dita e parë e tij e punës e deri më sot, çmimet janë rritur për 20%. Ky numër është rekord. I paparë ndonjëherë. Për krahasim, në Shqipëri inflacioni është vetëm 8%. Produktet bazike si buka, mielli, qumështi, vaji, vezët, rryma e derivatet janë sot dy-tre fish më shtrenjtë se sa që ishin dy vite më parë. Por ai këtë rritje të çmimeve nuk e sheh. Inflacionin, madje, e interpreton si sukses; thotë se është rritur qarkullimi i bizneseve për 20% e janë rritur të hyrat e buxhetit për 20%. Nuk është rritur as qarkullimi e as të hyrat – në terma real – janë rritur vetëm çmimet. Dhe atë për 20%.

– Preferon të përmendë rritjen e eksportit për 300 milionë, por qëllimisht nuk përmend rritjen e importit për 2 miliardë e 300 milionë. Po pra; 2 miliardë e 300 milionë euro më shumë importe për një vit e gjysmë të tij. Më 14 shkurt të vitit 2021, deficiti tregtar në vend – pra diferenca mes importeve e eksporteve – ishte 3 miliardë euro. Në fund të këtij viti kjo diferencë pritet të arrijë frikshëm në plot 5 miliardë; rekord i paparë ndonjëherë. Pra për 20 vjet, në gjithë mbrapshtësinë ekonomike, Kosova ka patur diferencë prej 3 miliardëve eurove mes importeve dhe eksporteve në vend. Dy vite me të, ky hendek është thelluar për plot 2 miliardë shtesë. Aq shumë ka katandisur me mosveprim bazën prodhuese në vend, sa që gjenerata të tëra do të bartin këtë pasojë.

– Flet për rritje ekonomike në vend, por sipas Bankës Botërore, Kosova – përjashto pandeminë – do të shënojë sivjet rritjen më të ulët ekonomike në 10 vjet. Me vetëm 3.1% rritje, për herë të parë në një dekadë, vendi ynë do të ketë rritje nën mesataren e asaj në Ballkan. Kaq është zhvillimi i tij sivjet.

– Investimet kapitale në vend, ato që shtyjnë vërtetë ekonominë, janë në realizimin më të ulët historik. Edhe gjatë kohës së pandemisë e mbylljes totale në vend, Kosova kishte realizm më të lartë se që ka sot. Mendojeni pak këtë; të punosh më pak se në pamdemi. Me vetëm 9% punë të kryera nëpër ministri, ai ka bllokuar ekonominë. Sot mbanë 700 milion euro në bankë, pa e kuptuar se me inflacion prej 20% i ka zhvlerësuar mbi 140 milionë euro prej tyre.

Albin Kurti flet për zhvillim ekonomik i shkëputur nga realiteti shoqëror në vend. Nga zyra e tij, rryma është tani e lirë, produktet bazike mbesin me taksë, punëtorët s’meritojnë paga më të larta, e zhvillimi është i mundshëm veç me fjalë. Kështu ai tregon se as nuk i njeh e as nuk i kupton hallet e qytetarëve të vet. Një kryeministër i denjë do të njihte krizën për fillim. Një kryeministër i mbarë do të pranonte vështirësitë që qytetarët kanë sot. Le të dalë të flasë me njerëzit e këtij vendi për të kuptuar papërballueshmërinë. Le të flas me punëtorë e ta kuptojë se si mbijetohet sot në këtë rritje të frikshme të çmimeve. Le të flas me ta për ikjet masive, për kolapsin në ekonomi, për krizat në arsim e dështimet në shëndetësi. Mbi të gjitha në vend të përrallave për zhvillim, le t’iu flasë për dimrin e vështirë energjetik tek i cili po i futë njerëzit tërësisht pa përgatitë.

/GazetaSinjali/