I pari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku ka folur pas takimit me krerët e partive dhe presidenten Vjosa Osmani lidhur me mundësinë për shtyerjen e zgjedhjeve.
Abdixhiku para mediave tha se nuk kishte pajtueshmëri për shtyerjen e zgjedhjeve. Tutje ai tha se kjo është një ditë e mirë për demokracinë e vendit.
“Në situatën e tanishme unë fillimisht kam bërë një propozim për liderët e partive për shkurtimin e fushatës zgjedhore dhe siç jeni informuar kam marrë përgjigje vetëm nga zotëri Krasniqi dhe nga zotëri Haradinaj, nuk kam marrë përgjigje nga zotëri Kurti”, tha Abdixhiku.
I pari i LDK-së shtoi se partia e tij do të ushtrojë vullnetarisht fushatë pesë ditore ose fare.
“LDK do të ushtrojë vullnetarisht fushatë pesë ditore ose hiç, për të ruajtur shëndetin e njerëzve. Një skenar i tillë politik nuk bën të ekzekutohet pasi në pyetje është demokracia, s’ka të bëjë me vullnetin e zgjedhje, nuk kishte pajtueshmëri për shtyrjen e zgjedhje. Kjo është një ditë e mirë për demokracinë. Ne duhet të kujdesemi për shëndetin e qytetarëve tanë por mbi të gjithë qeveria”, shtoi ai. /Gazeta Sinjali/