Edhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka reaguar pas kidnapimit të tre zyrtarëve policorë në veri nga forcat serbe.
Abdixhiku ka thënë se lirimi i policëve të kindapuar është domosdoshmëri, ndërsa për t’u mundësuar ky lirim, bashkërendimi e përafrimi me aleatë është i paalternativë, raporton Gazeta Sinjali.
“Të tre policët e rrëmbyer i presim në shtëpi. Ky është borxhi ynë si Republikë përballë agresionit luftënxitës të Serbisë. Lirimi i tyre i menjëhershëm është domosdoshmëri
Për këtë lirim, bashkërendimi e përafrimi me aleatë është i paalternativë. Prandaj, sot, bie dhe perdja e naiviteti popullist që këtë bashkërendim e shihte si dobësi. Dobësi e vetme është thirrja e vonuar për ndihmë, pasi je poshtëruar”, tha ai.
I pari i LDK-së tha se kërkojnë përgjegjësi politike institucionale nga kryeministri dhe vartësi i tij.
“Kosova nuk e meriton një ditë të tillë. Sot, kërkojmë përgjegjësi politike institucionale nga Kryeministri dhe vartësi i tij. Ushtrimi i sovranitetit të vërtetë kërkon mençuri”, përfundoi Abdixhiku.