Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka përkujtuar masakrën në Krushë të Madhe të Rahovecit në 22-vjetorin e ndodhjes së saj, shkruan Gazeta Sinjali.
Në një komunikatë të kësaj partie, thuhet se Abdixhiku ka vlerësuar se kjo masakër ishte njëra ndër masakrat më të tmerrshme që kanë ndodhur në Kosovë dhe ndër krimet më të tmerrshme të Serbisë, ku u vranë dhe u masakruan 243 civilë shqiptarë.
Në këtë ditë, i pari i LDK-së ka përkujtuar dhe nderuar edhe sakrificën e familjes Berisha nga Suhareka, anëtarët e së cilës u vranë nga forcat e regjimit të Millosheviqit, më 25 mars të vitit 1999.
“Vrasjet dhe masakrat e shqiptarëve shokuan botën mbarë dhe vunë në lëvizje diplomacinë perëndimore për ta ndalur gjenocidin në Kosovë. Shumë familje, ende jetojnë mes dhimbjes dhe forcës nga mungesa e më të dashurve të tyre, prej të cilëve, shumë janë ende të pagjetur. Pa sakrificën e këtyre familjeve, liria e sotme nuk do ta kishte kuptimin e njëjtë”, citohet të ketë thënë Abdixhiku./Gazeta Sinjali/