Gjatë një paraqitje në televizionin publik serb RTS, kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq është përballur me një pyetje provokative nga gazetari serb i këtij mediumi.
Gjatë intervistës, gazetari ka ironizuar me Abazoviqin duke e pyetur se a vazhdojnë ende malazezët të thonë: “Ne dhe rusët 200 milionë?”, një shprehje kjo e cila përdoret për të treguar afërsinë e malazezëve me rusët.
“Që kur di për veten, malazezët thonë: “Ne dhe rusët 200 milionë”. Si është situata numerike këto ditë?”, e ka pyetur gazetari serb Abazoviqin.
Kryeministri Abazoviq, është përgjigjur në mënyrë interesante duke thënë se tani në Mal të Zi, ka ndryshuar situata dhe populli thotë: “Ne dhe Bashkimi Evropian 501 milionë”, kësisoj duke ia rikujtuar gazetarit serb, se populli malazez qëndron në vijën pro-perëndimore.
“Nuk e di si dëshironi të deklarohem, por malazezët kohë e fundit tani thonë: “Ne dhe Bashkimin Evropian 501 milionë. Nuk është keq, nuk është aspak”, ka thënë tutje Abazoviq.
Abazoviq ka qëndruar për vizitë zyrtare dyditore në Beograd.