Dorëheqja e Vjollca Kabashit nga pozita e drejtoreshës të Drejtorisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale në Prizren po i duket vendim duhur Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dega në Prizren.
Kryetari i kësaj dege, Besnik Krasniqi tha për Gazetën Sinjali se kanë pas ankesa ndaj të deleguarës së tyre për shkak të performancës së dobët.
“Edhe ne si parti keni pas vazhdimisht ankesa për performancën e saj të dobët në pozitën që e ka. Kjo ndoshta ka ndodh për shkak të mos përgatitjes së saj profesionale. Edhe kryetari Totaj por edhe ne si parti kemi konstatu që performanca e saj ka qenë shumë e dobët edhe me një analizë që e kemi bërë ka dalë që rreth 2.7 për qind të investimeve kapitale i ka realize këtë muaj gjë që është shumë keq”, u shpreh ai.
Krasniqi tha se në vazhdimësi ia kanë tërhequr vërejtjen Kabashit.
“I kemi kërku vazhdimisht të ndreq performancën, nuk ka mundur ta bëjë një gjë të tillë edhe sa i përkët degës së Aleancës, ne jemi në rregull”, tha ai.
Partia Demokratike e Kosovës e cila është në kolaicion me Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në Komunën e Prizrenit, kanë gjetur zëvendësimit e Kabashit.
“Ne i kemi ofruar Totajt tre ekspert dhe për një jemi pajtuar për ta emëruar drejtor emri i të cilit do të bëhet publik gjatë konferencës së sotme që do të nis nga ora 12:00”, tha Krasniqi për Sinjalin.
Si erdhi deri te përplasja mes tyre dhe vendimi që shkaktoi tensione në komunë?
Gazeta Sinjali ka kontaktuar vet Kabashin e cila ka folur për projektin që e futi në sherr me Totajn dhe e shtyri të marrë vendimin për t’u larguar si pasojë e kërcënimeve dhe shantazhit që siç thotë ajo kanë ardhur nga kryetari.
Kabashi tha se zëvendësimi i një projekti me një tjetër e më pas shtyrja për ta nënshkruar këtë vendim, ka qenë arsyeja që e ka shtyrë për të dhënë dorëheqje.
“Një projekt ka kalu në projekt tjetër, kështu që këtë çështje e kam kalu përmes krimeve ekonomike në Policinë e Kosovës”, tha ajo.
Më tej Kabashi kritikon kryetarin e kësaj komune, Shaqir Totaj për refuzimet e shpeshta për takim.
“Si drejtoreshë kur kam kërku për çështje enkas të drejtorisë time, zakonisht kanë dalë në prit të tjerët dhe kanë thënë që nuk është kryetari në zyrë. Mirëpo unë e dija që është kryetari aty dhe e kanë verifikuar edhe të gjithë drejtorët vetë për arsyen se si po manipulohet me mua”, u shpreh ajo.
Kabashi shton se është përballur edhe me mungesë të stafit, kështu duke ia pamundësuar punën si drejtoreshë.
Ndryshe, Kabashi në njoftimin e saj në Facebook, thotë se është kërcënuar e shantazhuar nga zyra e kryetarit.
Sinjali ka folur edhe me zyrën për media të Totajt, mirëpo të njëjtit nuk kanë pranuar të flasin për këtë çështje duke cituar se do të dalin në konferencë për media e cila do të mbahet në ora 12:00. Për këtë temë nuk ka qenë i qasshëm as Totaj.
Ndryshe, Komuna e Prizrenit udhëhiqet nga Partia Demokratikee Kosovës që është në koalicion me AAK-në dhe Nismën Socialdemokrate.