Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka thënë se në krahasim me zgjedhjet lokale të vitit 2017 lista e votuesve të 6 tetorit përmban 111 mijë votues të rinj që mund ta shfrytëzojnë të drejtën e votës që i takon.
Ai theksoi se 87 mijë nga 111 mijë votuesi janë që votojnë për herë të parë, duke i përfshirë edhe ata që nesër në po të njëjtën datë të zgjedhjeve festojnë ditëlindjen e 18-të.
“Në krahasim me zgjedhjet lokale të 2017-tës lista e votuesve kësaj radhe përmban 111 mijë votues me shumë se në zgjedhjet lokale. Prej këtyre 111 mijë votuesve të rinj 87 mijë janë për herë të parë, pra përfshihet gjenerata e atyre që kanë mbushur 19 vjeç më 23 tetor një ditë pas ditës së zgjedhjeve lokale dhe ata që mbushin 18 vjet nesër në ditën e zgjedhje më 6. Pra kjo periudhë përafërsisht 2 vjeçare përfshin 87 mijë votues të rinj të cilët llogariten si votues që votojnë për herë te parë”, ka thënë zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi për rtv21.
Më 6 tetor do të mbahen zgjedhjet e parakohshme në Kosovë. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka certifikuar listën përfundimtare të votuesve, e cila përmban 1 milion e 937 mijë e 868 votues, të cilët kanë mundësi të mund të votojnë në 2 mijë e 547 vendvotime, kurse numri i qendrave të votimit është 895.