Me 22 gusht të këtij viti Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë kishte njoftuar se variantit Delta të virusit ia kishin ndalë turrin. Mirëpo që nga ajo ditë numri i rasteve të reja dhe viktimave nga ky virus është shtuar, shkruan Gazeta Sinjali.
Vetëm në pesë ditët e fundit 126 persona kanë vdekur si pasojë e infektimit me COVID-19, në Kosovë, kurse 7 mijë e 269 të tjerë kanë rezultuar pozitiv në testimet për koronavirus.
Të hënën e kësaj jave Ministria e Shëndetësisë njoftoj se në vendin tonë ishin konfirmuar edhe 932 raste të reja me COVID-19 dhe 20 raste të vdekjes.
Kurse të martën e kësaj jave Ministria e Shëndetësisë raportoi për një 1 mijë e 383 raste të reja.
Por, krahas shtimit të rasteve të reja u shtuan edhe rastet e vdekjes nga ky virus. Vetëm gjatë ditës së martë u raportuan edhe 26 viktima.
Rritja alarmante e rasteve me COVID-19 në Kosovë vazhdoi edhe ditën e mërkurë ku MSH-ja raportoi se ishin konfirmuar edhe 1 mijë e 894 raste të reja. Kurse ishin shënuar edhe 22 viktima nga ky virus.
Kurse ditën e enjte krahas një numri të madh të të infektuarve me virus shqetësues ishte edhe numri i personave të vdekur brenda një dite nga COVID-19.
MSH-ja për këtë ditë njoftoi se në për 24 orë në vend ishin shënuar edhe 32 viktima dhe ishin konfirmuar edhe 1 mijë e 612 raste të reja.
Shifra rekorde të rasteve u raportuan edhe gjatë ditës së sotme, ku për 24 orë u konfirmuan 1 mijë e 448 raste të reja dhe 26 raste të vdekjes nga ky virus.