Burime të Sinjalit brenda partisë Nisma Socialdemokrate, thanë se kanë kërkuar nga kryeminsitri në detyrë, Ramush Haradinaj, që ta lirojë nga detyra ministrin e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi.
Sipas këtyre burimeve, kërkesa e Nismës për ta shkarkuar Bytyqin nga posti i ministrit, ka ardhur pasi ky i fundit braktisi partinë për të shkuar në Partinë Socialdemokrate (PSD).
Sinjali ka kontaktuar ministrin Shyqiri Bytyqi, ai tha se nuk ka informata zyrtare nëse ish-partia i ka kërkuar kryeministrit ta shkarkojë nga posti që aktualisht e mbanë.
Ndërsa nga kabineti i kryeministrit në detyrë, Ramush Haradinaj, shefi i stafit, Selim Selimi, tha se nuk ka informacion zyrtar nese Nisma ka kërkuar shkarkimin e tij.
As nga Nisma Socialdemokrate nuk kanë kthyer përgjigje.
Bytyqi pas largimit nga Nisma ka akuzuar partinë se i është përzier në arsim.
Sinjali do t’ju mbajë të informuar nëse Nisma ka vendosur t’i hakmerret Bytyqit pas braktisjes së partisë./Sinjali/