Ndonëse Ligji i cili ndalon pirjen e duhanit në hapësira publike, ku përfshihen edhe lokalet hoteliere dhe shërbyese, ka hyrë në fuqi një dekadë më parë, as sot e kësaj dite nuk gjen zbatim. Inspektorët të cilët kryejnë kontrolle në këto hapësira, janë ata që përballen me ngacmime, kanosje e përleshje gjatë kryerjes së detyrës së tyre.
Gazeta Sinjali raportoi dje për një rast të tillë që ka ndodhur në lokalin ‘Zade’ në Pejë, të cilit inspektorët i shqiptuan gjobë prej 500 euro por u ballafaquan me ngacmim.
Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se i dyshuari Sali Devolli, (50) dyshohet se u është drejtuar inspektorëve me fjalë banale e duke i kërcënuar se “do t’i rregullojë ata.”
Sinjali mëson se pasi inspektorët janë larguar që aty dhe janë nisur në drejtim të një komune tjetër, inspektorët sanitarë kanë hasur në një bllokadë nga një veturë të cilën dyshohet se po e drejtonte pronari i ‘Zade’.
Si rezultat i denoncimit në organet e rendit, hetuesit policorë kanë intervistuar 50-vjeçarin në cilësinë e të dyshuarit dhe me urdhër të prokurorit ndaj tij kanë nisur hetimet për veprën penale ‘Ngacmim’.
Ligji kundër duhanit e ndalon që të tymoset duhan në hapësirat e mbyllura. Nëse ligji shkelet, për subjektet afariste gjoba është nga njëmijë deri në tre mijë euro, derisa për personin fizik 30 deri në 50 euro.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.