image A do të ndërpresin punën nga e hëna? Përgjigjet Sindikata e ATK-së

A do të ndërpresin punën nga e hëna? Përgjigjet Sindikata e ATK-së

news image

Sindikata e ATK-së ka paralajmëruar menaxhmentin se do të ndërpresin punën me palë si dhe nuk do të ketë vizita në teren, kjo për shkak se Ministria e Financave ka vendosur të mos ua jap më nga 300 euro shtesë inspektorëve, të përcaktuara në Pakon Emergjente Fiskale. E në një prononcim për Gazetën Sinjali, Drejtori i ATK-së, Ilir Murtezaj, ka thënë se nga sindikata “nuk mund të marrin vendime me telefon nga shtëpia, por duhet kërkuar takim me menaxhmentin”.

Për vendimin e Ministrit të Financave Besnik Bislimi për mospërfshirjen e inspektorëve të ATK-së në Pakon Emergjente Fiskale për mujin prill si dhe për deklaratat e Drejtorit Murtezaj, Gazeta Sinjali ka biseduar me Haki Gashin, kryetar i Sindikatës së ATK-së.

Në një prononcim për Gazetën Sinjali, Gashi tha se të hënën do të mbajnë një mbledhje ku do të shqyrtojnë situatën dhe pastaj do të dalin me një komunikatë për media.

“Do ta shqyrtojmë, nuk është e thënë që do të ndërprehet puna. Të hënën do të mbajmë mbledhjen e kryesisë së sindikatës dhe pastaj do të dalim me komunikatë për media”, tha Haki Gashi kryetar i Sindikatës së ATK-së, për Gazetën Sinjali.

Inspektorët e ATK-së nuk do t’i përfitojnë nga 300 euro shtesë nga Pakoja Emergjente Fiskale për muajin prill, sepse menaxhmenti i ATK-së i ka njoftuar se nuk i plotësojnë kriteret. Anipse ‘kriteret’ nuk u përmenden një muaj më parë, kur edhe përfituan shtesat e muajit mars.

Ilir Murtezaj, Drejtor i ATK-së, ka përmendur disa arsye pse ka ardhë deri te ky vendim.

“Muajin mars nuk e kemi pas atë rregullore ne, për atë. Ka qenë edhe situatë tjetër, muaji mars edhe prill, edhe stafi kanë dalë më shumë në teren, ka pas aktivitete më të mëdha për shkak të ngritjes së çmimeve në atë periudhë”, tha Murtezaj. /Gazeta Sinjali/