image A do të kaloj Mimoza Kusari në Vetëvendosje?

Kosovë

Politikë/ A do të kaloj Mimoza Kusari në Vetëvendosje?

news image

Përderisa koha e zgjedhjeve po afron, partitë politike kanë intensifikuar angazhimin që në mesin e tyre të kenë njerëz të profileve të ndryshme. Nuk ka ditë që nuk ndodhin aderime të figurave të ndryshme nëpër subjektet politike.

Politikanja për të cilën u përfol se mund të kalojë në Lëvizjen Vetëvendosje është kryetarja e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila.

Por Kusari-Lila, për Gazetën Sinjali e ka mohur një gjë të tillë.

Në një përgjigje për Gazetën Sinjali, kryetarja e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila ka thënë se me Vetëvendosjen janë duke diskutuar vetëm për koalicion parazgjedhor por jo për aderimin e saj në Vetëvendosje.

“Alternativa si subjekt është në diskutime me VV për mundësi të bashkëpunimit në koalicionin parazgjedhor. Asnjë diskutim nuk ka për kalim timin individual në VV dhe ajo nuk është pjesë e diskutimit”, ka thënë Kusari-Lila në përgjigjen për Sinjalin.

Kundër një bashkëpunimi me Vetëvendosjen në koalicion parazgjedhor është shprehur edhe deputeti Ilir Deda, bashkëthemelues i Alternativës. Deda në një postim në profilin e tij në Facebook ka thënë se nuk do të ishte korrekte që ai të kthehet në Vetëvendosje.

“Sot, Lëvizja nuk është çfarë ishte, ndarja ka lënë boshllëk të madh. Por, pa marrë parasysh këtë, kur nuk mujta me ta deri sa ishin bashkë, pse kisha mujtë tash që janë ndarë? E tash, besoj thellë që kishte me qenë jokorrekte prej anës time që të kthehem në Lëvizje nëpërmjet “koalicionit”. Nuk është e ndershme ndaj përkrahësve të mi, as ndaj Lëvizjes, as ndaj votuesve të VV-së dhe as ndaj Albinit. Përpos kësaj, koncepti i bashkimit opozitar për mua nuk është kthim nga dera e vogël në VV”, ka shkruar Deda në FB.

E pyetur për qëndirmin e bashkëpartiakut të saj, kryetarja e Alternativës Mimoza Kusari-Lila ka thënë se nuk i përgjigjet fare deputetit Deda.

“Statusit te Ilirit nuk i pergjigjem fare se nuk e konsideroj se eshte detyre e imja te pergjigjem”, ka thënë Kusari-Lila në përgjigjen për gazetën Sinjali.

Ndryshe partia e themeluar nga Kusari-Lila e Deda në zgjedhjet e kaluara kishte hyrë në koalicion parazgjedhor me Lidhjen Demokratike të Kosovës, me të cilën i ndanë rrugët në shtator të vitit të kaluar, kur ata vendosën që të dalin nga grupi parlamentar i LDK-së dhe të veprojnë si të pavarur brenda Kuvendit të Kosovës.