Menjëherë pas takimit të kryesisë së LDK-së e cila zgjati rreth tri orë ku u vendos që Vjosa Osmani të jetë kandidate për kryeminsitre nga kjo parti, kreu i LDK-së Isa Mustafa i shoqëruar edhe nga Vjosa Osmani e Lutfi Haziri janë larguar nga selia e partisë.
Nga zyret ku kishte diskutime të nxehta e votim me konsensus, Mustafa bashkë me të nominuaren për kryeministre të LDK-së, Vjosa Osmanin, dhe nënkryetarin e partisë, Lutfi Hazirin, kanë shkuar në takim me kreun e Vetëvendosjes, Albin Kurti.
Tash që LDK ka nominuar kandidaten për kryeministre, bisedat për një koalicion të mundshëm parazgjedhor me LDK duket se do të marrin kahje tjetër, me siguri më serioze.
Nga ajo që dihet tashmë është se pika kryesore e diskutimit për një koalicion të mundshëm parazgjedhor LDK-VV është posti i kryeminsitrit të vendit.
Asnjëra nga këto dy subjekte politike nuk janë të gatshme të heqin dorë nga kjo pozitë, pavarësisht interesimit dhe gatishmërisë së tyre për një koalicion parazgjedhor.
Lideri i LDK-së Isa Mustafa, javën që shkoi në mbledhjen e këshillit të përgjithshëm të LDK-së ka thënë prerazi që LDK nuk heq dorë nga posti i kryeministrit për të bërë koalicion me asnjërën parti politike, përfshirë edhe Lëvizjen Vetëvendosje.
Por a do të heqë dorë Vetëvendosje nga posti i kryeminisitrit për një koalicion të mundshëm parazgjedhor me LDK-në?
Ajo që e kanë thënë zyrtarët e Vetëvendosjes është që për ta me rëndësi është harmonizimi i qëndrimeve dhe i programit të përbashkët për t’i fituar zgjedhjet, duke mos anashkaluar faktin që sipas tyre, lideri i partisë Albin Kurti është njeriu më i votuar në Kosovë, dhe se kjo nënkupton që kushdo që merr më shumë vota të bëhet kryeminsitër.
E vet kryetari i Vetëvendosjes Albin Kurti, në njërën nga paraqitjet e shumta mediale që ka pasur këto kohët e fundit ka lënë të kuptohet se edhe mund të heqë dorë nga posti i kryeministrit.
“Unë asnjëherë nuk kam thënë se me çdo kusht duhet të jem unë. Asnjëherë nuk e kam thënë një gjë të tillë. Le të merremi vesh çka po duam, pastaj merremi vesh për emrat”, tha Kurti gjatë një interviste.
Por se a do të ndodhë kjo apo jo mbetet të shihet, pasi që diskutimet do të vazhdojnë, dhe vetëm sa do të bëhen më interesante. Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje kanë proklamuar vazhdimisht mundësinë e një koalicioni, i cili edhe mund të jetë rezultat i një bashkëpunimi të mirë opozitar që e kishin në legjislaturën e kaluar. /Sinjali/