Ministrja në detyrë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Hykmete Bajrami ka folur për Gazetën Sinjali rreth rikthimit ose jo të nxënësve në objektet shkollore për këtë vit shkollor, si dhe për peticionin e incuar nga studentët e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” për shtyerjen e afateve të provimeve.
Bajrami tha se shkollat do të mund të hapen vetëm nëse Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik rekomandon një gjë të tillë. Anipse, Ministria e Arsimit dhe ky institut kanë planifikuar hapjen e shkollave në fazën e tretë të lehtësimit të masave për kthim në normalitet, më 1 qershor, Bajrami thotë se një gjë e tillë varet nga numri i rastev me COVID-19 në vend.
“Ne shkollat i hapim vetëm me rekomandim të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik. Është situatë të cilën nuk mundem me e parashiku as unë dhe askush.Ju e dini në fazën e tretë, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik dhe Ministria e Arsimit kanë paraparë kthimin për mbajtjen e provimeve në institucionet e arsimit të lartë; për organizimin e testit të maturës dhe të arritshmërisë. Mirëpo, është cekë gjithashtu rreth shpjegimit të këtyre fazave, i keni të cekura me fusnota që në fakt, kalimi prej një faze në fazën tjetër varet prej vlerësimit të situatës epidemiologjike në Kosovë. Tash, a do të kemi raste apo nuk do të kemi, këtë nuk e din askush, nuk mundemi me parashiku. Institucionet po e përcjellin në mënyrë të vazhdueshme situatën edhe shohim sido që i kemi rekomandimet”, tha Bajrami.
Ministrja në detyrë e Arsimit tha se kjo ministri ka përgatitur materiale shkollore të mjaftueshme për të përmbyllur këtë vit shkollor edhe në distancë, nëse nuk përmirësohet situata.
“Përndryshe, MASHTI ka përgatitë të gjitha materiale, do të thotë ne kemi dhënë udhëzimet Drejtorive Komunale të Arsimit, por edhe kemi prodhu edhe ligjerat dhe vido-mësime të mjaftueshme për ta përmbyllë komplet vitin shkollor, nëse është e nevojshme kështu në distancë”, tha ajo.
Ndërsa lidhur me peticionin e studentëve për shtyerjen e aftit të provimeve të qershor për në shtator, ministrja në detyrë e Arsimit tha se organizimi i këtyre afateve nuk është në kuadër të MASHTI-t. Megjithatë, Bajrami tha se institucionet e arsimit të lartë janë të obliguara që t’i prëcjellin rekomadimet e IKSHPK-së.
“Organizimin e afatit të provimeve e bëjnë institucionet veç e veç, nuk është kjo vendimarrje në kuadër të Ministrisë së Arsimit. Vetëm se ato duhet të gjitha, janë të obliguara që t’i përcjellin rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik”, tha ajo.
Kujtojmë që qeveria, tani në detyrë, më 11 mars vendosi për ndërprerjen e procesit të mësimit në inistucionet e arsimit të të gjitha niveleve në Kosovë dhe gati 2 javë më vonë, më 23 mars fillion mësimi online./Gazeta Sinjali/