image A do ta zgjidhë Serbia çështjen e Kosovës në vitin 2023

Politikë

A do ta zgjidhë Serbia çështjen e Kosovës në vitin 2023

news image

Kosova, sanksionet ndaj Rusisë dhe disa zhvillime të tjera janë sfidat kryesore për qeverinë serbe në vitin 2023. Presioni po shtohet.

Viti 2022 u shpall në Serbi si një pikë kthese dhe dramatike në fillim, por në fund u mbyll si një vit relativisht i qetë. Kjo, natyrisht, nuk do të thotë se nuk ka pasur paralajmërime dhe veprime dramatike, rritje të gatishmërisë luftarake dhe momente që mund të cilësohen si incidente të rënda, sidomos në Kosovë, por të paktën tani për tani gjërat janë mbajtur nën kontroll.

Duke qenë se viti 2022 ishte edhe vit elektoral, pritej që kjo të shkaktonte tensione shtesë, pasi pati paralajmërime që të nesërmen e zgjedhjeve do të vinin protesta. Por gjithsesi e gjithë fushata parazgjedhore, si dhe periudha paszgjedhore kaluan pa shumë fërkime. Fillimi i konfliktit në Ukrainë përkoi me fushatën zgjedhore dhe serioziteti i asaj tragjedie u reflektua edhe në sjelljen e pjesëmarrësve në jetën politike në Serbi. Kjo ndikoi ndjeshëm në dinamikën dhe nivelin e tensioneve politike në Serbi, kështu që as qeveria dhe as opozita nuk ndërmorën ndonjë hap shtesë që do ta përkeqësonte ndjeshëm situatën.

Ky fakt e bëri edhe më të lehtë për pushtetin në Serbi vazhdimin e sundimit autoritar, sepse opozita u pozicionua si një aktor politik që nuk dëshiron të ngrejë shumë dallgë në një kohë kur kreu i shtetit është nën presion të madh të huaj. Një pjesë e opozitës, pa dyshim, ka ushtruar presion mbi autoritetet në lidhje me sanksionet ndaj Rusisë. Por edhe këto ishin paralajmërime të vakëta, të cilat nuk mund të ndikonin ndjeshëm në vendimet e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Uniteti i pushtetit dhe opozitës për Kosovën

Nga ana tjetër, veprimet provokuese të Prishtinës dhe Albin Kurtit, siç u quajtën në Beograd, u pritën me dënimin unanim të pushtetit dhe opozitës dhe kjo ishte tema që dominoi gjysmën e dytë të vitit. Vetëm presioni i huaj, ose ndoshta thjesht fati, çoi në shmangien e një përshkallëzimi më serioz të situatës në Kosovë.

Ashtu siç pritej, çështja e Kosovës nuk u zgjidh gjatë vitit 2022. Sipas një tradite të pashkruar, edhe ky vit, pra viti 2023, u shpall një vit kthese, sikur edhe shumë vite të tjera, për zgjidhjen përfundimtare të problemit të Kosovës. Prandaj, këto pritshmëri nuk janë të reja, por ndryshe nga vitet e mëparshme, këtë herë Perëndimi vepron dhe tingëllon i vendosur për të përfunduar punën në vitin 2023. Sa i rëndësishëm do të jetë në të vërtetë ky vit, apo do të jetë vetëm një tjetër shpallje bombasitke?

Dushan Spasojeviq, nga Fakulteti i Shkencave Politike, kujton për DW se “shumë herë në vitet e kaluara është dukur se ky problem ishte afër zgjidhjes. Kjo nuk ndodhi, por tani mund të jemi më afër zgjidhjes. Sigurisht, nuk e dimë nëse kjo do të ndodhë, por tani kemi disa struktura të jashtme që mendojnë se tani është një kohë e mirë për të ushtruar presion”.

Por, nga ana tjetër, vazhdon Spasojeviq, “ne kemi dy liderë, Vuçiqin dhe Kurtin, të cilët janë mjaft kokëfortë dhe kanë disa kalkulime të tyre që nuk përshtaten me planet e jashtme. Këtu shoh pengesën më të madhe, nëse ka një ofertë mjaft të mirë që do t’i kënaqë të dy liderët. Mendoj se ka disa kufizime në këtë presion – nga Serbia nuk mund të pritet p.sh. sanksione, pse nuk dëshiron të pranojë një marrëveshje me Kosovën që nuk i përshtatet. Prandaj është e mundur që zgjidhja e çështjes të zgjatet”, tha Spasojeviq.

Prirja e lëshimeve vazhdon

Analisti politik Dragomir Angjelkoviq beson se “disa gjëra të rëndësishme kanë ndodhur në vitet e kaluara, por fatkeqësisht në dëm të Serbisë”. Autoritetet e Serbisë prej vitesh kanë bërë lëshime që përkeqësojnë ndjeshëm pozitën e Serbisë. Prandaj, mendoj se në një farë mënyre janë realizuar pohimet se disa nga vitet e kaluara do të jenë vendimtare. Ai trend ndoshta do të vazhdojë – nuk besoj se qeveria në Beograd do të përmbushë gjithçka që i kërkohet. Por politika e koncesioneve do të vazhdojë përsëri, gjë që do ta zvogëlojë pozicionin e Serbisë në lidhje me Kosovën në një nivel edhe më të ulët”, vlerësoi Angjelkoviq për DW.

“Nuk pres një kapitulim të plotë rreth Kosovës në vitin 2023, por do të ndërmerren edhe disa hapa drejt kapitullimit, i cili ende mbahet sekret”, vëren Anjelkoviq dhe shton se “nuk beson në datat që janë përmendur si afat për zgjidhjen e problemeve të Kosovës. Por besoj në lojërat politike në të cilat autoritetet në Beograd marrin atë që kërkohet prej tyre, ndërsa në këmbim autoritetet arrijnë të mashtrojnë qytetarët e Serbisë”.

Përparimi drejt BE-së = sanksione kundër Rusisë?

Sanksionet kundër Rusisë janë tema tjetër e madhe që pritet të zgjidhet në vitin 2023. Tani për tani, autoritetet serbe refuzojnë kategorikisht të vendosin sanksione ndaj Rusisë, por presioni perëndimor po intensifikohet edhe në këtë fushë.

Beogradi duket i bindur se po këmbëngul në këtë, por në momente të caktuara kreu i shtetit duket se humbet kontrollin dhe deklaron se “Serbia nuk i detyrohet asgjë Rusisë në këtë drejtim, sepse Rusia nuk i kundërshtoi sanksionet ndaj Serbisë në vitet 1990.” Opinioni serb është i vendosur kundër vendimeve të tilla, dhe tani për tani kjo është ndoshta e vetmja arsye që i pengon autoritetet serbe t’i bashkohen sanksioneve.

“Pika kyçe kur Serbia do të duhet të vendosë disa sanksione është nëse ka përparim në integrimet evropiane”, vlerëson Dushan Spasojeviq. “Përderisa situata aktuale mbetet e njëjtë si deri tani, nuk ka asnjë arsye të veçantë që Beogradi të ndryshojë vendimin e tij.” “Serbia e humbi atë mundësi për t’iu bashkuar sanksioneve dhe vendosja e thjeshtë e sanksioneve tani, ose pas disa muajsh, nuk do të jepte rezultatin e pritur”, vëren Spasojeviq.

Aleksandar Vuçiq do të kishte vendosur sanksione shumë kohë më parë, po të mos kishte frikë nga reagimi i qytetarëve dhe votuesve të tij, beson Dragomir Angjelkoviq, i cili thekson se “situata këtu është shumë më e qartë se sa me Kosovën, ku mund të manipulohet. Por këtu pyetja është mjaft e qartë, a i vendosni Rusisë sanksione apo jo?”

/GazetaSinjali/