Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka hapur thirrjen për subvencionim të qytetarëve që zëvendësojnë ngrohjen elektrike me alternativa të tjera.
Rizvanolli tha para mediave se sot kanë hapur thirrjen për subvencionim të pajisjeve efiçiente ekonomike për ngrohje, në vlerë prej 6 milionë euro.
Pajisjet që do të subvencionojmë përfshijnë:
1. Kaldajat me biomasë (dru, pelet, briket), do të subvencionohen me 70% të vlerës; subvencioni deri në 1200 euro;
2. Pompat termike (të cilat ulin shpenzimin e energjisë elektrike deri në 70%), do të subvencionohen me 30% të vlerës; subvencioni deri në 2500 euro.
3. Kondicionerët efiçientë (të cilët gjithashtu ulin shpenzimin deri në 70%), do të subvencionohen me 40% të vlerës; subvencioni deri në 400 euro.
4. Stufat individuale efiçente me biomasë (dru), të cilat – për familjet që janë pjesë e skemës së asistencës sociale do të subvencionohen me 90%, subvencioni deri në 560 euro; ndërsa për të tjerët deri në 70%, subvencioni deri në 435 euro.
Aplikimi për këto bëhet online përmes platformës eKosova. Kriteret e përfitimit dhe specifikat teknike të pajisjeve që subvencionohen janë të specifikuara qartë në thirrjen për aplikim.
Qëllimi i masave është i dyfishtë:
– Të ndihmojë familjet që dëshirojnë të zëvendësojnë ngrohjen me energji elektrike me alternativa të tjera (pelet, dru, briket) ose me pajisje elektrike që shpenzojnë 60-70% më pak energji elektrike. Kriteret specifike mund t’i lexoni në thirrje.
– Të ndihmojë të gjitha familjet pavarësisht se me çfarë ngrohen dhe veçanërisht familjet me kushte më të vështira ekonomike, për të pasur efiçiencë më të lartë – do të thotë, për të arritur të mbajnë ngrohtë shtëpitë e tyre dhe këtë me më pak shpenzime për dru, apo lëndë të tjera djegëse.
Me këto masa synojmë të përkrahim së paku 10,000 familje. Si rezultat i masave presim ulje prej gati 70% të konsumit të energjisë së konsumuar nga këto familje për ngrohje. Kjo do të thotë që këto familje do të përfitojnë shumëfish:
– E para, përfitimi direkt nga subvencioni për pajisje, në vlerë prej 400 deri 2500 euro.
– E dyta, kursimi duke ulur faturat e energjisë elektrike ose shpenzimet për dru e lëndë të tjera djegëse
– E treta, këto familje që kursejnë energji elektrike përfitojnë shtesë subvencionin e qeverisë të lidhur me kursimin.
Këto masa pritet t’i kursejnë vendit 12 milionë euro vetëm gjatë këtij dimri.