Nëntë anëtarë të një familjeje janë vrarë pas sulmit me dron amerikan, që kishte si shënjestër një makinë në një lagje të Kabulit, që dyshohej se i përkiste terroristëve.
Mes të vrarëve kishte dhe 6 fëmijë, më i vogli prej të cilëve ishte një vajzë 2 vjeçe, shkruan CNN.
“Ne nuk jemi ISIS apo Daesh dhe kjo ishte një shtëpi familjare, ku vëllezërit e mi jetonin me familjet e tyre”, është shprehur vëllai i njërit prej viktimave.
Një zyrtar amerikan konfirmoi vendndodhjen në lagjen Khaje Bughra të Kabulit. Komanda Qendrore Amerikane tha më herët se ata po vlerësonin mundësitë e viktimave civile.
Një burrë i quajtur Ahad, i cili tha se ishte një fqinj i familjes, tha për CNN: “Të gjithë fqinjët u përpoqën të ndihmonin dhe sollën ujë për të shuar zjarrin dhe pashë që ishin 5 ose 6 persona të vdekur. Babai i familjes dhe një djalë tjetër i ri dhe kishte dy fëmijë. Ata kishin vdekur. Ata ishin copë -copë. Kishte gjithashtu dy të plagosur”.
Një gazetar afgan thotë se makinat i përkisnin familjeve. Ai konfirmoi se njëri nga pjesëtarët, do të hipte në njërën nga makinat për të shkuar në një festim familjar.