image 8 ekipe italiane refuzojnë të rinisin kampionatin

Futboll

Futboll/ 8 ekipe italiane refuzojnë të rinisin kampionatin

news image

Në pritje të vendimit për të rinisur apo jo stërvitjen më 4 maj, ende klubet e Serisë a janë të ndara nëse duhet të çohet deri në fund sezoni, apo duhet ndërprerë dhe të fillohet të mendohet për sezonin e ardhshëm.

Janë plot 8 klube që kanë shprehur hapur qëndrimin e tyre për të mos e vijuar më këtë sezon dhe për të planifikuar tashmë të ardhshmin sipas afateve të paracaktuara, ndërsa ditën e djeshme i kanë dërguar edhe një letër Federatës, ku i kanë kërkuar të njihen me të gjitha pasojat e mosmbylljes së sezonit.

Ndërkohë në Itali situata vijon të jetë shqetësuese dhe numri i të vdekurve, ndonëse ka rënë në krahasim me disa ditë më parë, vijon të jetë më tepër se 400 në ditë, ndërsa edhe Ministri i Sporteve Vincenzo Spadafora deklaroi se futbolli është shqetësimi i fundit që ka vendi në këto momente.

“Unë jam një tifoz i futbollit dhe kam dëshirën e mirë që të rifillojmë, por me këtë situatë, ku humbim çdo ditë më tepër se 400 persona, nuk mund të mendohet më për sport. Vullneti i mirë është që të rinisë stërvitja më datën 4 maj, por kjo nuk duhet të na entuziazmojë shumë, pasi nuk nënkupton rinisjen e kampionatit”, tha Spadafora.

Federata Italiane e Futbollit, në bashkëpunim me Ligën e Serisë A, kanë hartuar një protokoll sigurie, të cilin e kanë dorëzuar në qeveri dhe do të jetë kjo e fundit që do të vendosë nëse mund të rinisin stërvitjet më datën 4 maj, apo do të ketë një tjetër shtyrje.