68 persona kanë vdekur si pasojë e infektimit me COVID-19, për tre ditë në Kosovë, ndërkaq 4 mijë e 290 të tjerë kanë rezultuar pozitiv në testimet për koronavirus, transmeton Gazeta Sinjali.
Të hënën e kësaj jave Ministria e Shëndetësisë njoftoj se në vendin tonë ishin konfirmuar edhe 932 raste të reja me COVID-19 dhe 20 raste të vdekjes
Kurse të martën e kësaj jave Ministria e Shëndetësisë raportoi për një 1 mijë e 383 raste të reja.
Por, krahas shtimit të rasteve të reja u shtuan edhe rastet e vdekjes nga ky virus. Vetëm gjatë ditës së martë u raportuan edhe 26 viktima.
Rritja alarmante e rasteve me COVID-19 në Kosovë vazhdoi edhe ditën e mërkurë ku MSH-ja raportoi se ishin konfirmuar edhe 1 mijë e 894 raste të reja. Kurse ishin shënuar edhe 22 viktima nga ky virus.
Aktualisht në Kosovë janë 27 mijë e 404 raste aktive, ndërkaq nga fillimi i pandemisë janë shënuar gjithsej 146 mijë e 880 raste.
Deri më tani, si pasojë e infektimit me COVID-19 kanë vdekur 2 mijë e 525 persona.
Gjatë 24 orëve të fundit janë shëruar 1 mijë e 354 persona, ndërkaq numri total i të shëruarve ka shkuar në 116 mijë e 951.
Institucionet shëndetësore vazhdimisht kanë bërë thirrje që qytetarët të shfrytëzojnë të drejtën e imunizimit përmes vaksinës kundër koronavirusit.