image 6 raste të dhunës në familje brenda 24 orëve, viktima kryesisht femrat

Siguri

6 raste të dhunës në familje brenda 24 orëve, viktima kryesisht femrat

news image

Vetëm gjatë ditës së djeshme në Kosovë janë raportuar gjashtë raste të dhunës në familje, ku kryesisht viktima qoftë të bashkëshortëve apo edhe të familjarëve të tjerë janë femrat, raporton Gazeta Sinjali.

Tri raste për të cilat Gazeta Sinjali ka mësuar nga burime brenda Policisë së Kosovës kanë ndodhur në rajonin e Prishtinës.

Njëri rast është në rrugën “Tringë Ismajli” në Prishtinë, ku një femër është ankuar se ish-bashkëshorti i saj ka hyrë në banesën e saj dhe e ka sulmuar fizikisht. Sinjali mëson se i dyshuari për këtë rast ndodhet në arrati.

Rasti tjetër ka ndodhur në rrugën “Isa Boletini” në Prishtinë, ku po ashtu një femër është ankuar se bashkëshorti i saj, që sipas saj ka edhe probleme psiqike e ka kërcënuar.

Ndërsa një rast pak më ndryshe por me viktimë femër ka ndodhur në fshatin Shajkofc të Podujevës, ku vëllai e ka sulmuar fizikisht motrën e tij të cilës i ka shkaktuar lëndime trupore dhe për të cilat është dashur që të trajtohet.

Për dhunë në familje është hapur rast edhe në stacionin policor të Istogut ku një femër është ankuar se derisa ishin para lokalit, bashkëshorti i saj e ka rrahur dhe i ka shkaktuar lëndime trupore për çka i është dashur të pranojë tretman mjekësor.

Ndërsa në Komunën e Gjakovës janë raportuar dy raste të dhunës në familje, njëri rast në rrugën “Ilir Soba” në Gjakovë ku një grua është ankuar se ish-bashkëshorti i saj e ka kërcënuar se do t`ia vras vëllain.

Ndërsa rasti tjetër ka ndodhur në fshatin Rogovë, ku një mashkull është arrestuar pasi që i njëjti ishte bërë agresiv dhe kishte sulmuar babain dhe vëllain e tij. Sinjali mëson se i dyshuari është dërguar në spitalin psikiatrik dhe se është nën arrest.

/Gazeta Sinjali/