image Në më pak se 10 orë, 6 pacientë me infarkt akut u trajtuan në Kardiologji Invazive në QKUK

Shëndetësi

Në më pak se 10 orë, 6 pacientë me infarkt akut u trajtuan në Kardiologji Invazive në QKUK

news image

Numri i pacientëve që hyjnë e dalin brenda klinikave të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës brenda një dite është mjaft i madh. Vetëm këtë të premte në Klinikën e Kardiologjisë janë pranuar gjashtë pacientë me infarkt.

Pranimi i këtyre pacientëve dhe trajtimi i tyre në këtë klinikë është bërë në më pak se 10 orë. Kurse, për të mësuar më shumë rreth gjendjes së tyre shëndetësore, si dhe kapaciteteve të Klinikës Invazive, Gazeta Sinjali ka kontaktuar me kardiologun Jetmir Sejdiu.

Sejdiu për Sinjalin ka deklaruar se pacientët kanë ardhur në klinikë që nga ora 13:00 e pasdites së sotme.

Nga ora 13:00 deri në këto momente që po flasim janë pranuar gjashtë pacientë me infarkt akut, gjendja e tyre aktualisht është stabile”, ka thënë ai për Sinjalin.

Tutje Sejdiu ka shtuar se mjekët e kësaj klinike kanë kryer të gjitha procedurat e nevojshme për trajtimin e pacientëve që pësojnë infarkt.

“Për pacientët janë kryer të gjitha procedurat, janë kryer ato të koronarografisë dhe të stentimit. Rezultatet janë shumë të mira, jemi të kënaqur”, shtoi ai.

I pyetur se a ka kapacitete të mjaftueshme Kardiologjia Invazive për trajtimin e pacientëve që vijnë gjatë ditës, kardiologu Sejdiu tha se kjo klinikë është në dispozicion të të gjithëve, pavarësisht fluksit të pacientëve që mund të ketë.

“Varet sa ka pacientë, por të gjithë që kanë nevojë për këtë trajtim ne jemi në dispozicion 24 orë”, ka thënë ai për Sinjalin. /GazetaSinjali/